Giorgia Meloni është “personi dhe lideri më i fuqishëm në Europë” sipas përzgjedhjes së medias amerikane Politico dhe zyrave të kësaj media në Europë.
“Kë telefononi nëse doni të flisni me Evropën? Nëse jeni Elon Musk – njeriu më i pasur në botë dhe një këshilltar kryesor i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump – numri që thirrni i përket Giorgia Melonit”, fillon artikulli kushtuar kryeministres italiane.
Revista shkruan se në më pak se një dekadë, liderja e partisë së krahut të djathtë “Vëllezërit e Italisë” ka kaluar nga një ultranacionaliste në kryeministre të Italisë, duke u vendosur si një figurë me të cilën Brukseli dhe tani Uashingtoni, mund të bëjnë biznes.
Prandaj Politico kthehet për të njohur meritat e mëdha të Giorgia Meloni pasi e zgjodhi atë “liderin më konkrete dhe më të qartë brenda Bashkimit Europian.
“Meloni u bë kryefjala botërore duke u bërë kryeministrja e parë femër në Itali, por pakkush do ta kishte parashikuar qëndrimin e saj të gjatë në pushtet”, vijohet në artikull.
“Analistët besonin se lufta e brendshme do të ndante në mënyrë të pashmangshme koalicionin e saj qeverisës të krahut të djathtë dhe nuk kishte entuziazëm për të në Bruksel. Por gjatë dy viteve të fundit Meloni e ka konsoliduar qeverinë e saj si një nga më të qëndrueshmet në Itali, megjithëse vendi është rënduar nga një borxh publik i barabartë me 137% të PBB-së, parashikimet ekonomike nuk janë aq të zymta sa të trembin investitorët e huaj, të tërhequr nga një klimë politike jashtëzakonisht e qetë”, shkruhet mes të tjerash në artikullin dedikur Melonit.
Zyrat e medias amerikane në Evropë kanë vlerësuar kryeministren italiane edhe për qasjen ndaj migracionit të paligjshëm, duke e quajtur një plan inovator marrëveshjen me Shqipërinë që mund të shërbejë si shembull për unionin 27 anëtarësh që vijon të përballet me këtë problem.
Politico shkruan se Meloni pritet të jetë një ndër liderët evropianë që do të ketë marrëdhënie më të mira edhe me presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump për shkak të lidhjeve të partisë së saj me Partinë Republikane në Shtetet e Bashkuara./acnews.al