Deputetët e Lëvizjes VetëVendosje kanë tentuar të pengojnë deputetët e Listës Serbe, të mos futen në sallën e Kuvendit për seancën plenare të së enjtes.
Arsyetimi i Vetëvendosjes ishte se deputetët e Listës Serbe nuk janë distancuar nga sulmet në veri dhe se paraqiten në Kuvend vetëm për të përfituar pagën.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka ndërprerë seancën dhe iu është drejtuar deputetëve të listës serbe me fjalët “turp të keni”.
“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje një herë në gjashtë muaj të vijnë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel Radoiçiç. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Lidhur me ngjarjen në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe Beogradi. Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç ka akuzuar Konjufcën dhe Vetëvendosjen, se kanë fyer deputetët e listës serbe.
Ai tha në një postim në rrjetet sociale, se synimi është që atyre t’u merret me forcë mandati dhe bëri thirrje për reagimin e ndërkombëtarëve.
Lista Serbe është partia kryesore serbe në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Beogradit. Që nga fundi i vitit 2022 ata nuk marrin pjesë në seancat plenare, kohë kur nga institucionet e Kosovës u tërhoqën punonjësit serbë, përfshirë policët, gjykatësit e prokurorët, në shenjë pakënaqësie me disa vendime të Qeverisë së Kosovës.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe.