Itali/ Presidenti Begaj takohet me shqiptarët në Bolonja: Punoni me dinjitet. Mos e harroni kurrë atdheun e të parëve!

schedule20:00 - 3 Dhjetor, 2024

schedule 20:00 - 3 Dhjetor, 2024

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë në Bolonja të Italisë, ku u prit nga fëmijë e prindër të shkollës shqipe, një investim i Shoqatës “Korabi” në këtë rajon për të ruajtur e trashëguar gjuhën amtare.

Gjithashtu, Presidenti Begaj vizitoi kompaninë “Poti”, sipërmarrje e një shqiptari të suksesshëm në të cilin janë të punësuar shqiptarë dhe italianë.
Ndërsa i falënderoi për mikpritjen, Presidenti i Republikës përgëzoi komunitetin shqiptar të këtij rajoni për sipërmarrjen në biznes, bashkëpunimin me qytetarët italianë, si dhe angazhimin për ruajtjen e identitetit.

“Mos e harroni kurrë atdheun e të parëve! – këshilloi Kreu i Shtetit bashkëatdhetarët duke i inkurajuar: “Vazhdoni të punoni me dinjitet, duke ngritur lart flamujt e vendit nga keni ardhur dhe vendeve që ju kanë mirëpritur, ashtu siç shpalosen dhe flamujt në hyrje të sipërmarrjes tuaj”.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj zhvilloi takime të veçanta me Kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, z. Matteo Lepore, me Presidentin e sapo zgjedhur, Michele de Pascale, dhe atë në detyrë të rajonit Emilia-Romagnia, znj. Irene Priolo.Presidenti i Republikës vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në Itali, të arbëreshëve dhe Diasporës së re, por edhe të qytetarëve dhe bizneseve italiane në Shqipëri, duke i cilësuar ata si një urë të re bashkëpunimi.

Kreu i Shtetit vlerësoi se marrëdhëniet e shkëlqyera politike janë pasuar nga marrëdhëniet ekonomike shumë të mira, duke theksuar afrimin mes qytetarëve të dy shteteve: të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali, dhe të italianëve që kanë zgjedhur të investojnë e të jetojnë në Shqipëri.