Ibrahim Hidri është i riu shqiptar që i ka dhuruar vendit tonë një medalje ari në sportin e Taekewondo-s.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi se ka konkuruar në Rumani mes 460 sportistëve dhe e konsideroi një garë shumë të fortë.
Sakaq, Ibrahimi tregoi se këtë ndeshje ia dedikoi Shqipërisë, pasi u bë pikërisht në Ditën e Çlirimit.
“Kisha dy ndeshje, u ndesha dhe me turkun dhe me rumunin. Turku ishte më i mirë, por prapë e munda. Unë përpara se të futesha në ndeshje, mendova për kombin sepse ishte dhe Dita e Çlirimit kur u zhvillua ndeshja”, tha ai.
Ndërkohë, nëna e tij, pedagoge, Entela Hidri u shpreh krenare për të birin, i cili e ka trashëguar këtë pasion nga babai i tij.
“Unë kam tre fëmijë dhe njërin jua kam sjellë sot ju këtu. Ky është më i miri dhe e veçon gjithë familja. Babai i Ibrahimit ka qene kampion Ballkani për një dekadë dhe ne kemi dashur ta trashëgojë”, tha ajo./abcnews.al