Nga data 3 deri më 5 dhjetor, në Tiranë do të zhvillohet Ministeriali i Mbrojtjes, në kuadër të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A-5). Ky aktivitet i rëndësishëm zhvillohet në kuadër edhe të angazhimeve të Shqipërisë në këtë iniciativë.
Në këtë ministerial pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga SHBA, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Serbia. Ndihmëssekretarja amerikane e Mbrojtjes për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në fushën e Sigurisë, znj. Celeste Wallander do të jetë e pranishme në këtë takim.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë z. Pirro Vengu së bashku më ndihmëssekretaren amerikane do të mbajnë fjalën e mirëseardhjes në ditën e parë të punimeve të këtij ministeriali.
Përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5) do të diskutojnë për proceset integruese të vendeve të Ballkanit përmes mekanizmave të kësaj iniciative si dhe të ardhmen e kësaj iniciative. Po ashtu pjesë e paneleve të diskutimeve janë edhe lufta në Ukrainë dhe pasojat në Evropën Juglindore, sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, zgjerimi me anëtarë të rinj të Iniciativës SHBA- Karta e Adriatikut, kontributi i përbashkët në NATO dhe misione të tjera ndërkombëtare, etj.
Vendet pjesëmarrëse do të nënshkruajnë edhe një deklaratë të përbashkët në fund të ministerialit.
Iniciativa SHBA-Karta e Adriatikut është një nismë diplomatike që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ka si qëllim përforcimin e bashkëpunimit dhe integrimin e këtyre vendeve, me mbështetjen edhe të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në strukturat euroatlantike, por ndihmon edhe në nxitjen e stabilitetit dhe zhvillimin ekonomik në këtë rajon.