Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, paralajmëroi homologun e saj kinez, se mbështetja e Pekinit për Rusinë ka “ndikim” në lidhjet mes dy shteteve, tha zyra e saj.
Kryediplomatja gjermane u takua në Pekin me homologun e saj, Wang Yi, për “dialog strategjik”, teksa Berlini po kërkon të ndërtojë lidhje më të mira me Pekinin dhe të angazhohet me këtë shtet për të tejkaluar dallimet kryesore.
Baerbock i tha Wangut se “rritja e mbështetjes kineze për luftën e Rusisë kundër Ukrainës ka ndikim në raportet tona”, sipas njoftimit të lëshuar nga Ministria e Jashtme gjermane.
“Interesat thelbësore të sigurisë gjermane dhe evropiane janë prekur”, tha ajo.