Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi gjatë natës masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore, pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.
Në një komunikatë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit thuhet se “indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”.
Në njoftim thuhet se gjatë mbledhjes u vu në pah “ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit “diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt”.
Për më tepër, “Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Shpërthimi i së premtes që kaloi pa dëme në njerëz, u krye në në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, një komunë e banuar me shumicë serbe në veri.
Nëpërmjet kanalit të dëmtuar furnizohen me ujë disa qytete si dhe Korporata Energjetike e Kosovës, që është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend.
Mëngjesin e së shtunës autoritetet thanë se kanë kryer një “rregullim të përkohshëm në kanalin e dëmtuar” dhe shpresojnë që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë “i pa cenuar”.
Shpërthimi u dënua në shkallë të gjerë nga institucionet e partitë politike si dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë.
Sulmi i së premtes në mbrëmje ishte i treti në një periudhë 72 orëshe në veriun Kosovës. Granata dore u hodhën më parë në një stacion policie dhe në ndërtesën e komunës në Zveçan./VOA/