Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është festuar edhe në Preshevë, me iniciativë të ambasadës shqiptare.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka pritur në një ceremoni pjesëtar të Ambasadës së Shqipërisë në Serbi, me në krye me ambasadorin Bardhyl Canaj.
“Në këtë ditë historike, bashkë me qytetarët e Luginës, nderuam sakrificën dhe vizionin që sollën lirinë dhe Pavarësinë e kombit tonë.”, u shpreh Sinani.
Në mëngjesin e 28 Nëntorit ajo ngriti flamurin e Shqiëprisë në ballkonin e Komunës dhe tha se Presheva dëshmoi sërish se është zemra e Luginës Shqiptare.
Sinani shprehu vendosmërinë për të vazhduar betejën për kërkuar barazi dhe respekt.
Ajo tha se diskriminimi dhe përpjekjet për të heshtur popullin shqiptar në Luginë të Preshevës nuk mund të ndalin përpjekjet për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën.
“Është fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i Flamurit Kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ky akt është një shprehje e qartë e shtypjes sistematike sistematike që synon të zbehë identitetin dhe të drejtat tona legjitime si popull në këto troje”, tha Sinani.
Festime për 112-vjetorin e pavarësisë janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Kosovës./abcnews.al