Champions League vijon rrugëtimin dhe mbrëmja e sotme ka në program ndeshje mjaft interesante, sidomos në grupin F. Barcelona-Dortmund është përballja që zgjon interesin e shumë tifozëve, ndërkohë që është shumë e rëndësishme edhe për kalimin e fazës së grupeve.
Katalanasit, nëse fitojnë i mbyllin llogaritë. Gjermanët nga ana tjwtër edhe me një barazim do të ishin të kënaqur, pasi kualifikimin do e kishin në dorë në sfidën e fundit ndaj Slavia Prague. Këta të fundit do tentojnë të frenojnë sërish Interin, që sonte në Çeki ka rrugëzgjidhje vetëm marrjen e tre pikëve.
Liverpool-Napoli është një nga ndeshjet më të bukura të kësaj mbrëmje. Dy koka e grupit E do luftojnë sonte për vendin e parë në grup, ndërkohë që në ndeshjen tjetër Genk-Salzburg sytë do të jenë nga Erling Haaland, sulmuesi norvegjez që është në listën e dëshirave të klubeve më të mëdha europiane.
Grupi H paraqet një ekuacion me shumë të panjohura. Tre ekipe janë me pikë të barabarta, 7. Valencia-Chelsea është një ndeshje direkte për kualifikimin, ndërkohë që Ajax do mundohet të përfitojë në transfertë kundër Lillë. Francezët nuk kanë ndonjë objektiv, nisur nga fakti që kanë marrë vetëm një pikë në katër ndeshjet e para në grup.
E hapur gara edhe në grupin G, ku RB Leipzig ka në dorë kualifikimin në përballjen shtëpiake me portugezët e Benfica. Zenit-Lyon gjithashtu e kanë një betejë, me të dyja skuadrat që do të synojnë kalimin e fazës së grupeve. Tre pikë është diferenca mes tyre dhe rusët me një fitore e barazojnë me pikë ekipin francez.
CHAMPIONS LEAGUE – FAZA E GRUPEVE
E mërkurë, më 27 nëntor, ora 18:55
Valencia-Chelsea
Zenit-Lyon
E mërkurë, më 27 nëntor, ora 21:00
Barcelona-Dortmund
Slavia Prague-Inter
Genk-Salzburg
Liverpool-Napoli
Lille-Ajax
RB Leipzig-Benfica
/abcnews.al