Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu nga shkolla “Sami Frashëri” kanë zhvilluar konsultime publike me prindërit në të gjithë vendin për kufizimin apo ndalimin e platformave TikTok dhe Snapchat.
Kryeministri u shpreh se duhet ndërveprim nga të gjithë faktorët, duke nisur nga shkolla, prindërit, por edhe nga e gjithë shoqëria.
“Dozë helmi nga rrjete sociale të pakontrolluara. Çështja është që duhet ndërveprim mes të gjithë faktorëve ku çdonjëri duhet të japë kontribut nga detyrat që ka. Nëse ka një zonë problematike shkolla, apo grup nxënësish problematik jashtë vëmendjes duhet të jenë të gjitha hallkat bashkë dhe këto raste të adresohen. Këtu jemi në kushtet ku nga një ngjarje kaq tronditëse duhet të bëjmë të kundërtën e asaj që bëjnë një pjesë e madhe e mediave, dhe t’i çojmë gjërat më parë sa më shpejt. Nxitja e dhunës haptazi në platforma apo nga persona apo forca që duhet të mendojnë dhe bëjnë të kundërtën dhe këtu flasim për forca shoqërore, apo një pushtet siç është pushteti i medias”, tha Rama.
Më tej kryeministri shtoi: “Nëse nuk ka një mobilizim të përgjithshëm të të gjithë atyre që janë të vetëdijshëm për këtë është shumë e vështirë. Tjetra është pastaj çmenduria mediatike e të gjithë llojeve të kanaleve që thua se mezi i presin rastet e tilla. Shumë interesant se nuk i shikojnë shifrat e kriminalitetit, që ato shkojnë në rënie”.
/abcnews.al/