Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë se në Tiranë dhe Prishtinë është krijuar përshtypja se shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinj po iu shtypen të drejtat me qeverinë e re të Hristijan Miskoskit, por sipas tij, një gjë e tillë nuk është aspak e vërtetë.
I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ai deklaroi se asnjë e drejtë e shqiptarëve nuk është zvogëluar që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie. Për këtë përshtypje të krijuar, Taravari drejtoi gishtin te BDI e drejtuar nga Ali Ahmeti, duke e cilësuar atë si një “makineri propagandistike”.
“Në MV ndryshoi qeveria, por situata e shqiptarëve është e njëjtë. Fatkeqësisht shoh që perceptimi në Tiranë dhe Prishtinë, është sikur shqiptarët i kanë humbur të gjitha të drejtat, kinse para 5-6 muajsh, para se të formohej qeveria Mickoski, shqiptarët kanë jetuar në parajsë dhe tani është gjendja katastrofike se të gjitha të drejtat i kanë humbur në MV. Natyrisht BDI ka qenë në qeverisje 22 vite radhazi dhe s’ka pas asnjëherë shans përveç një vit e gjysmë që të jetë në opozitë dhe sipas të gjitha teorive politike, për çdo parti është mirë që një periudhë ta kalojë në opozitë dhe zoti Ahmeti dhe rrethi i tij nuk mund të adaptohen ende në opozitë, të fillojnë me reformat dhe dalëngadalë të bëhen me opozitë shqiptare konstruktive. Unë me plot përgjegjësi e them se asnjë e drejtë e shqiptarëve nuk është zvogëluar në këtë periudhë pesë mujore. Biles mund ta them se asnjë qeveri deri më tani, kryeministri i parë që viziton MV është zoti Kurti, bilateralja e parë që bëhet me një shtet është Kroacia. Dhe mbledhja ndërqeveritare që bën kjo qeveri është me atë të Kosovës, që për ato që së paku marrin sinjale politike, mund ta kuptojnë se nga sheh qeverisja Mickoski. Ekziston një makineri propagandistike shumë e pasur, me resurse të jashtëzakonshme financiare drejt BDI, e cila mundohet që sidomos në Prishtinë dhe Tiranë të krijojë percepsionin kinse që pa zotin Ahmeti, shqiptarët në MV do të fundosen. Psh arritje e madhe e BDI në 2017 ishte kryetari i parlamentit të parë shqiptar në MV. Dhe kërkush nuk e përmend këtë. Atëherë të gjithë shqiptarët e votuan përveç disa deputetëve dhe tani BDI që e promovon si arritje e madhe, nuk erdhi që ta votojë kryetarin e parlamentit. Në vitin 2017, kur reformoi qeverinë LSDM me qeverinë, kishte po aq ministra sa ka tash VLEN me VMRO. Të mos flasim për qeveritë e kaluara të BDI me VMRO dhe ka pasur pozicione shumë më të dobëta sesa sot që ka VLEN.“, tha ai.
Taravari shtoi se koalicioni i BDI në zgjedhje ishte multietnik.
“Në zgjedhjet e 8 majit, kishim dy kampe politike në pjesën shqiptare. Grupacioni VLEN dhe BDI me tre parti të etnive të tjera, parti rome, turke dhe boshnjake. Unë me zotin Ahmeti kam biseduar në janar 2024 dhe e kam pyetur sa mendon se ka votues shqiptarë në MV dhe më ka thënë mbi 210 mijë. Prej atyre votave kemi marrë 107 mijë vota. Nëse ka 210 mijë vota shqiptarë, Ahmeti dhe partive të tjera i mbesin 113 mijë. Kanë deputetë më shumë se kanë partitë e tjera. Minimumi deri në 40 mijë vota të etnive të tjera. Ishte koalicion multietnik.”, u shpreh Taravari./abcnews.al