Grenell, mes Rusisë dhe Ukrainës/ Burimet: Trump do ta emërojë të dërguar të SHBA për konfliktin

schedule10:31 - 23 Nëntor, 2024

schedule 10:31 - 23 Nëntor, 2024

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump po shqyrton mundësinë që Richard Grenell të bëhet i dërguar i posaçëm i Washingtonit për konfliktin Rusi-Ukrainë.

Lajmi është raportuar në mënyrë ekskluzive nga Agjencia e Lajmeve Reuters.

Richard Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador në Gjermani, më pas si i dërguar i posaçëm i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, dhe si shef për inteligjencë kombëtare në mandatin e parë të Trumpit në vitet 2017-2021, do të luante rol të madh në përpjekjet e Trumpit për të ndalur luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Aktualisht në Administratën Amerikane nuk ekziston një post i dedikuar për zgjidhjen e konfliktit Rusi- Ukraine, por sipas burimeve që kanë folur për Reuters Trump po mendon të krijojë një post të tillë.

Republikani  është zotuar gjatë fushatës presidenciale  se do t’i japë fund luftës Rusi – Ukrainë, megjithëse Trumpi nuk ka shpjeguar se si diçka e tille do te ndodhë .

Grenell ka bërë thirrje më parë për krijim të “zonave autonome” si mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit. Ai ka sugjeruar se nuk do të ishte në favor të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, në të ardhmen e afërt.

Grenell, i cili bëri fushatë për Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit, përflitej si një pretendent për të qenë sekretar i shtetit. Për këtë post, Trump zgjodhi senatorin republikan amerikan Marco Rubio./abcnews.al