33 vite pa shkelur në Kosovë/ Liman Veliu tregon si u bë kuzhinieri më i njohur i rrjeteve sociale

schedule08:53 - 21 Nëntor, 2024

schedule 08:53 - 21 Nëntor, 2024

Liman Veliu është një ndër personazhet më të njohur në rrjetet sociale, me videot e tij virale. Ai gatuan receta tradicionale dhe merr miliona shikime.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Limani ka treguar se pasionin për gatimin e ka të trashëguar nga prindërit që në vegjëli. Ai ka zbuluar se gjithçka nisi rastësisht në rrjetet sociale dhe tashmë është bërë tepër i njohur.

“Gatimin e kam mësuar nga nëna dhe baba. Kur kam qene i vogël, nëna bënte fli dhe unë e ndihmoja, ajo më thoshte shumë mirë e ke bërë.

Kryesorja është që kur u martuan të gjithë vëllezërit dhe motrat, unë mbeta vetëm me nënën dhe babën, edhe kisha shumë diferencë me ta, ishin të mëdhenj në moshë. Unë kam qene vetëm 11 vjeç dhe kështu nisa të gatuaja.

Në fillim, e bëra një video për hajgare dhe e pëlqeu publiku. Kështu pasi publikova të parën, vazhduan dhe të tjerat”.

Sakaq, Limani zbuloi se jeton në Zvicër dhe 33 prej vitesh nuk ka ardhur në atdheun e tij, pasi nuk ka dokumenta, duke e cilësuar si moment shumë të vështirë.

“E kam pasur shumë të vështirë, pasi më kanë vdekur prindërit dhe nuk kam pasur mundësi të jem në varrim. Unë dhe bashkëshortja nuk kemi mundësi të vijmë në Kosovë, ndërsa fëmijët janë me dokumenta”./abcnews.al