Tranzicioni demografik, efektet në rritje të ngrohjes globale, shqetësimet për teknologjitë e reja: këto ‘trende’ përshkruajnë një të ardhme të zymtë për fëmijët në vitin 2050, ka paralajmëruar Unicef, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm për të krijuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë e së nesërmes.
“Fëmijët përballen me një sërë krizash, nga tronditja klimatike deri te rreziqet në internet, dhe këto kërcënime do të rriten në vitet e ardhshme”, tha Catherine Russell, drejtoresha e përgjithshme e UNICEF, të martën.
“Dekada të përparimit, veçanërisht për vajzat, janë në rrezik,” vazhdoi ajo në deklaratën e saj për të shënuar publikimin e raportit vjetor të Unicef, i cili i kushtohet një teme të ndryshme çdo vit.
Këtë vit Unicef prezantoi parashikimet e tij për vitin 2050, duke identifikuar tre “tendenca kryesore”, të cilat përveç konflikteve që nuk janë të lehta për t’u parashikuar, kërcënojnë “seriozisht” fëmijët nëse nuk merren në kohë vendimet e nevojshme.
Së pari sfida demografike. Nga mesi i shekullit, numri i fëmijëve do të jetë pothuajse i njëjtë si sot, rreth 2.3 miliardë, por me rritjen e madhe të popullsisë së botës, duke arritur në rreth 10 miliardë.
Pavarësisht rënies së përqindjes së fëmijëve në të gjitha rajonet, numri i tyre do të rritet në më të varfrit, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane. Kjo perspektivë mund të nxisë ekonominë, por vetëm nëse merren masa që këta të rinj të kenë akses në arsim, shërbime shëndetësore dhe punë cilësore, theksoi Unicef.
Në disa vende më të zhvilluara fëmijët mund të përbëjnë më pak se 10% të popullsisë, duke vënë në rrezik “dukshmërinë” dhe të drejtat e tyre në shoqëritë që do të fokusohen në problemet e një popullsie gjithnjë e më të plakur.
Një kërcënim tjetër është ndryshimi i klimës dhe efektet e tij shkatërruese.
E treta e “tendencave të mëdha” janë teknologjitë e reja, veçanërisht inteligjenca artificiale, përdorimi i së cilës do të jetë padyshim i nevojshëm në të ardhmen për arsimin dhe shumë vende pune.
Por ndarja dixhitale mbetet e madhe, pasi sot 95% e popullsisë në vendet e pasura është e lidhur me internetin, krahasuar me vetëm 26% të popullsisë në vendet e varfra./abcnews.al