Ekspertja për ekonominë Romina Radonshiqi thotë se me buxhetin e vitit 2025 janë bërë përpjekje për të ndihmuar shtresat sociale. Në një intervistë për “Money Report”, ajo vlerësoi edhe bonusin për pensionistët, që u njoftua një ditë më parë nga kryeministri, por shtoi se është i pamjaftueshëm.
“Edhe pse është nismë disi e vonuar, po shohim përpjekje. Shikohen tendenca që po mundohet të gjejnë zgjidhje së pari për pensionet, për shtimin e popullsisë, për individët në nevojë. Nuk mund të kemi korigjim të menjëhershëm të problemeve financiare por të shihet më thellë që në vitin 2026 të kemi buxhet më social. Buxheti i 2025 është një përpjekje për të qenë social por jo një buxhet social”, u shpreh ajo.
Duke u ndalur te skema e pensioneve, Radonshiqi theksoi se së pari duhet të punohet me problematikat në tregun e punës.
“Vetë skema e pensionit duhet të prodhojë që të mos marrë fonde nga buxheti. Duhet parë se ku qëndron problemi i tregut të punës. Nëse korrigjojmë këtë, rrisim kontribuesit në këtë skemë pensioni. Nëse rrisim kontribuesit, i bie që vetë skema të gjenerojë. Tjetër element është se pas kësaj, duhet të shikojmë probleme të tjera si meritokracia në punësimin e administrimin e administratës publike, rritjes në karrierë që administrata të funksionojë si e vendeve të BE, pa korrupsion. Për sektore si eksporti, duhet të kenë ndihma apo lehtësira fiskale nga shteti sepse ky sektor ka ndikim pozitiv dhe te tregu i punës dhe te bilanci tregtar i rimëkëmbjes. Vetë sektori privat të rrisë pagat. Të krijojë atmosferë pozitive në vendin e punës sepse nëse kemi probleme, këta punonjës do të gjejnë një vend tjetër në vendet e BE. Qeveria të hartojë politika me efekte afatmesme dhe afatgjata. Që individët të mos mendojnë që të largohen nga vendi dhe së dyti, formalizimi.”, u shpreh ekspertja.
Sa i përket bonusit të bebeve, ekspertja tha se nisma e qeverisë është pozitive, por e pamjaftueshme./abcnews.al