Pas tërmetit tragjik me viktima dhe të plagosur ndërkombëtarët janë solidarizuar me Shqipërinë dhe shqiptarët duke ofruar mbështetje. Kryeministri italian Giuseppe Conte përmes një mesazhi në rrjete sociale tha se ka nisur në këto orë burra dhe mjete të ndërhyrjes së shpejtë për t’i ardhur në ndihmë të lënduarve nga tërmeti në vendin tonë.
Giuseppe Conte: Italia është pranë popullit mik shqiptar, e goditur rëndë nga tërmeti. Në agim dëgjova Kryeministrin @ediramaal dhe menjëherë urdhërova dërgimin e burrave dhe mjeteve të urgjencës. Ekipet e @emergenzavvf, stafi i @DPCgov dhe @crocerossa, po nisen në këto orë.
Edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut Pendarovski ka shprehur mbështetjen e plotë për të lehtësuar pasojat e tërmetit.
Pendarovski: Shpreh ngushëllime të thella familjeve të të vrarëve dhe uroj shërimin më të shpejtë të të plagosurve në tërmetin katastrofik që goditi Shqipërinë herët në mëngjes. Në këto momente të trishtueshme për Republikën e Shqipërisë, në bisedë me Presidentin Meta unë ofrova mbështetje të plotë për të lehtësuar pasojat e tërmetit. /abcnews.al