Rrezikohet pelikani kaçurrel/ Zjarret, Prespa e Vogël në prag të katastrofës mjedisore

schedule15:49 - 14 Nëntor, 2024

schedule 15:49 - 14 Nëntor, 2024

Zjarret e ditëve të fundit kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme në Liqenin e Prespës së Vogël, pjesa më e madhe e të cilit është kënetëzuar dhe mbushur me kallamishte.

Sipërfaqja e djegur nga zjarret,që nis nga Shpella e Trenit dhe vazhdon deri në afërsi të kufirit grek shkon në rreth 40 hektarë.

Ekspertët e mjedisit ngrenë alaramin se zjarret e vazhdueshme në Liqenin e Prespës kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e liqenit duke zhdukur habitatet e pelikanit kaçurrel, por edhe shpendëve dhe gjallesave të tjera që popullojnë liqenin e Prespës së Vogël.

Banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë Liqenit të Prespës së Vogël djegin në mënyrë të vazhdueshme kallamishtet duke pasur si qëllim që edhe liqenin tashmë të kënetëzuar ta shfrytëzojnë si tokë bujqësore.

Rastet e zjarreve në liqenin e Prespës së Vogël janë të përvitshme, ndërsa ndërhyrja e Shërbimit zjarrfikës në brendësi të liqenit është e kufizuar, çfarë bën që zjarri të vazhdojë për ditë të tëra.