Administrata e presidentit të SHBA, Joe Biden ka arritur në përfundimin se Izraeli aktualisht nuk po pengon ndihmën për Gazën dhe për këtë arsye nuk po shkel ligjin e SHBA-së, tha të martën Departamenti i Shtetit, edhe pse Uashingtoni pranoi se situata humanitare mbeti e tmerrshme në enklavën palestineze.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe i Mbrojtjes Lloyd Austin në një letër në 13 tetori, u dhanë homologëve të tyre izraelitë një listë të hapave specifikë që Izraeli duhet të bëjë brenda 30 ditëve të ardhshme për të trajtuar situatën e përkeqësuar në Gaza. Nëse s’i realizon, do të reduktonte ndihmën ushtarake.
Por të martën, me përfundimin e afatit të përmendur në letër, zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, refuzoi të thoshte nëse kriteret specifike ishin përmbushur. Ai u tha gazetarëve se Izraeli ka ndërmarrë hapa për të adresuar kërkesat dhe se Uashingtoni do të vazhdojë të vlerësojë situatën.
“Ne kemi parë disa përparime që po bëhen. Ne do të dëshironim të shihnim disa ndryshime të tjera. Ne besojmë se po të mos ishte ndërhyrja e SHBA-së, këto ndryshime mund të mos kishin ndodhur kurrë,” tha Patel, duke shtuar se Uashingtoni do të vazhdojë të vlerësojë përputhjen e Izraelit me ligjin amerikan.
Nga ana tjetër, grupet ndërkombëtare të ndihmës thonë se Izraeli ka dështuar në përmbushjen e kërkesave të SHBA-së që synonin përmirësimin e situatës humanitare në Gaza./abcnews.al