Drejtori i zyrës politike të talebanëve në Doha, Suhail Shaheen, tha se talebanët shpresojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me Uashingtonin pasi administrata e Donald Trump të marrë pushtetin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi të hapur për një angazhim pozitiv me botën dhe gjithashtu me Shtetet e Bashkuara,” tha ai gjatë një interviste. Shaheen, zyra e të cilit merret me çështjet diplomatike të qeverisë talebane, tha se gjatë presidencës së parë të Trump në vitin 2020, administrata amerikane përfundoi një marrëveshje paqeje me talebanët, e cila hapi rrugën për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
“Zoti Trump duket se është më pragmatik se presidenti Joe Biden dhe mendoj se ne mund të jemi më realistë në qasjet tona për zgjidhjen e çështjeve problematike”, tha Shaheen. Sipas tij, Afganistani nën sundimin e talebanëve mund të bashkëpunojë me Amerikën në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në fusha të tjera.
Që nga kthimi në pushtet në Afganistan në verën e vitit 2021, talebanët do të jenë të pranishëm për herë të parë në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP29, e cila filloi këtë të hënë në Baku./abcnews.al