Shqipëria është vlerësuar me Medaljen e Argjendtë në Londër si një nga vendet më tërheqëse për t’u vizituarnga “Wander Reader Travel Awards” si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët.
Operatori turistik Xhimi Lama, në një intervistë për “Money Report”, e vlerësoi këtë si një lajm pozitiv. Ai tha se interesi i të huajve pas pandemisë ka ardhur në rritje sidomos për turizmin kulturor.
“Interesimi i të huajve pas pandemisë është në rritje. Ky vit ishte një vit shumë i suksesshëm dhe akoma sezoni s’ka mbaruar. Deri nga 15 nëntori kemi grupe nga vende perëndimore. Sezoni është shtuar nga 15 marsi që fillojnë grupet e para deri në 15 nëntor. Kemi zgjerim të sezonit për grupet kulturore. Pjesa e turizmit kulturor është një nga rritjet më të mëdha pas pandemisë. Shqipëria sivjet është vizituar nga i gjithë globi, është zgjeruar goxha harta e vendeve.“, u shpreh ai.
I pyetur për strategjinë e re të qeverisë për turizmin, ai shtoi:
“Deri tani kemi punuar në mënyrë individuale. Shpresojmë që tani e tutje Shqipëria do ta ketë turizmin prioritet kryesor. Përfiton një zinxhir i tërë, nuk është vetëm tur operatorët. Përfitojnë të gjitha guidat, hoteleritë, transporti. Shpresoj që qeveria do ta marrë me përparësi ndihmën ndaj operatorëve turistikë, hoteleri turizmit”, shtoi Lama./abcnews.al