Ministrja Kumbaro prezanton projektbuxhetin 2025/ Fokusi në promovimin ndërkombëtar, në ekoturizëm dhe mjedis

schedule11:35 - 8 Nëntor, 2024

schedule 11:35 - 8 Nëntor, 2024

Fokus i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025 do të jenë zonat e mbrojtura dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit.

Ministrja Kumbaro prezantoi nga Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin buxhetin për vitin 2025, i cili ka një rritje prej 7.9% krahasuar me atë të vitit 2024.

Në prezantimin e saj, Kumbaro theksoi se Shqipëria ka pritur 9.7 milionë vizitorë të huaj ose 17% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa paralelisht janë rritur edhe të ardhurat nga sektori i turizmit duke arritur shifrën 2 miliardë lekë për gjashtë muajt e parë të vitit 2024 ose 500 milionë euro më shumë se gjashtë-mujori i parë i vitit 2023.

“Turizmi këtë vit po shfaq dy karakteristika kryesore, të cilat parashikojmë se në vitin 2025 do theksohen akoma më shumë. Së pari, është shtrirja në kohë dhe së dyti shtrirja në territor. Për 9-muajt e parë të vitit, zonat e mbrojtura u vizituan nga 4,5 milionë vizitorë vendas dhe të huaj (shifër që tejkalon gjithë vitin 2023), ndërsa sitet e kulturës arritën rekordin e 1,1 milionë vizitorëve”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Më tej, minsitrja Kumbaro u ndal tek investimet e brendshme për vitin 2025, të cilat rriten me 19% krahasuar me vitin 2024 ku dy janë investimet kryesore të MTM:

“Projektbuxheti i vitit 2025 krahasuar me projektbuxhetin e vitit 2024 ka një rritje prej 7.9% ose +306 milion lekë, kjo si rezultat i rritjes se pagave në bazë të politikave të qeverisë si dhe investimeve të brendshme me 173 milion lekë. Fondi i planifikuar për shpenzime korrente për vitin 2025 është + 49 milion lekë më shumë dhe kjo rritje ka kaluar e gjitha për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për të mbuluar shpenzimet në miradministrimin e zonave të mbrojtura.

Së pari, ngritja Infrastrukturore me theks ujor EKO-Park-Ulza me një vlerë në total prej 523 milion lekë e ndarë në tre vite. Punimet kanë filluar që këtë vit ku janë parashikuar të investohen 200 milion lekë dhe për vitin 2025. Ky investim i rëndësishëm është i parashikuar dhe në tavanet e PBA 2025-2027.

Së dyti, ndërtimi i Qendrës Multifuksionale në Lumin Vjosa me një vlerë në total prej 690 milion lekë. Jemi në procesin e prokurimit dhe parashikimet janë që punimet do të fillojnë që këtë vit. Për këtë investim shumë të rëndësishëm fondet për të tre vitet janë të parashikuar në buxhet”, theksoi ministrja Kumbaro duke përmendur edhe projekte të tjera në zonat e mbrojtura si kullat e vrojtimit, shtigjet malore, etj.

Në fushën e mjedisit, Ministrja Kumbaro u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të mbështesë bashkitë bregdetare për pastrimin e vijës së bregdetit gjatë periudhës 15 qershor-15 shtator 2025 si dhe investimet në fushën e menaxhimit të mbetjeve përmes programeve ndërkombëtare në bashkëpunim me partnerët.

Në fund të fjalës së saj, ministrja përmendi edhe projektet e mëdha si panairi “ITB Berlin” ku Shqipëria do të jetë ‘Host Country’ për vitin 2025,  panairit “Fitur” në Spanjë, si dhe implementimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030.