Ulja e normës së interesit/ Vakaj: Lëvizje pozitive. Ekonomia është në rritje, por duhet të jetë e qëndrueshme

schedule14:32 - 7 Nëntor, 2024

schedule 14:32 - 7 Nëntor, 2024

Banka e Shqipërisë ka ulur për herë të dytë brenda vitit normën bazë të interesit duke e çuar atë në 2.75%. Kjo lëvizje është pozitive për qytetarët dhe bizneset që kanë një kredi në lekë pasi do të paguajnë më pak për këstin e radhës por edhe për kredimarrësit e rinj të cilët përfitojnë kushte më të favorshme.

Drejtori i Shoqatës së zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj thotë se kjo lëvizje ishte e pritshme. Në një intervistë për “Money Report”, ai tha se ekonomia në tërësi është në rritje, por jo e qëndrueshme, duke shtuar se rritja ekonomike nuk duhet të bazohet vetëm te sektori i turizmit dhe ndërtimit.

E pritshme por po të shikojmë të dhënat. Ekonomia në tërësi është në rritje por jemi në një situatë disi jo të kënaqshme duke parë faktorët që po ndikojnë në rritjen ekonomike. Kjo lëvizje do të ndihmojë bizneset dhe do të ulë koston në raportin me borxhin për të rritur investimet por nga ana tjetër kemi rënie të konsumit, kemi rritje të importeve por ulje të eksporteve. Ky është element që tregon për një ekonomi që nuk ka themele dhe bazë të shëndoshë, po e mbështesim rritjen ekonomike te ndërtimi dhe turizmi por problemi i turizmit është që po e shikojmë të lidhur drejtpërdrejt vetëm më ndërtimin. Janë sektorë që tërheqin njëri-tjetrin, por duhet të kemi përmirësim të cilësisë së ofrimit të shërbimit në ndërtim dhe jo vetëm rritje të ofertës së ndërtimit në vend. Turizmi ka nevojë dhe për elemente të tjerë për të çuar në rritje të cilësisë. Kjo është një gjë që nuk po mbahet në vëmendje sa duhet. Ndërtimi, siç e pamë gjatë këtij viti, apo tregu i pasurive të patundshme pati një lloj stopimi por kemi maturim të këtij tregu 20-25 për qind të viteve të caktuara të GDP. A do të mbështesim rritjen ekonomike vetëm duke ndërtuar? Kjo meriton vëmendje herët sesa vonë. Rënia e eksportuesve është tregues që ekonomia prodhuese në tërësinë e saj nuk është konkurruese në treg. Ka nevojë për stimuj dhe kjo lëvizje e fundit është mundësi e mirë për të rritur mbështetjen me fonde më të lira.”, tha ai.

Duke u ndalur te niveli i inflacionit, Vakaj tha se ekonomitë botërore janë në procesin e ringritjes pas krizave si ajo e Covid-19 etj.

“Në tërësi bankat globale, tregojnë se tregjet janë qetësuar dhe në mos ulje, është krijuar një stabilitet dhe kanë dashur të hedhin hapa të maturuar. Por Federal Reserve dhe indikatorët janë që do të ketë ulje të normës së bazë të interesit dhe në Amerikë. E kaluam efektin që pati tregu i punës për shkak të Covid, ekonomisë në tërësi. Jemi në një moment stabiliteti dhe shpresat janë për ringritje të ekonomisë, pavarësisht se situata në Evropë, që na ndikon, nuk është më e mira e mundshme, mungesa e stabilitetit politik, e një perspektive të qartë, veçanërisht të ekonomisë gjermane.”, u shpreh Vakaj./abcnews.al