Ka sjellë rreth 50 libra në gjuhën shqipe/ Briçi: Përkthyesit janë si ura që bën lidhje mes dy brigjeve

schedule11:06 - 6 Nëntor, 2024

schedule 11:06 - 6 Nëntor, 2024

Klodian Briçi është një përkthyes i mirënjohur shqiptar, i cili ka përkthyer rreth 50 libra. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ai ka treguar se është një punë titanike që ka bërë, pasi përkthyesi është ura lidhëse mes dy brigjeve, pasi popujt japin dhe marrin mes tyre.

“Është një punë titanike që kam bërë sepse përkthimi, letërsia e huaj, më ka pëlqyer gjithmonë dhe kur ti përballesh me letërsinë e huaj e ndjen veten nxënës dhe ke të bësh me koka të mëdha, të cilat i flasin më së miri shpirtit njerëzor, psiqikës njerëzore, psikologjisë njerëzore dhe kur ke të bësh me letërsinë, ke të bësh me artin më të vjetër që ka shpikur njerëzimi.

Ne përkthyesit jemi bashkëautor, pa ne shkrimtarët e ndryshëm nuk vijnë dot, sepse përkthimi është arti i përçimit të letërsisë, të vlerave letrare, nga njëri shtet që flet një gjuhë të caktuar, qoftë dhe nga një shtet tjetër që flet një gjuhë të caktuar. Apo arti i përkthimit është përçimi i këtyre vlerave nga kontinenti në kontinent. Ne nuk bëjmë dot pa shkrimtarët dhe shkrimtarët nuk bëjnë dot pa ne. Ne jemi bashkëautor, jemi ura që bën lidhje mes dy brigjeve, nuk mund të kalojnë dot në bregun tjetër pa ne, ne jemi ura lidhëse, sepse popujt kanë dhënë dhe kanë marrë nga ne”.

Më tej, i pyetur pse preferon më shumë letërsinë klasike, Briçi zbuloi se aty gjen veten dhe ajo është e ndërtuar shkëlqyeshëm në të gjitha pikëpamjet. Ai veçoi si një nga autorët që ka përkthyer dhe pëlqen më së shumti, Charles Dickens.

“Çdo njeri në jetë pëlqen gjërat më të mira dhe unë nuk mendoj se ka ndonjë gjë më të mirë se letërsia klasike. Ajo është e ndërtuar shkëlqyeshëm në të gjitha pikëpamjet, në formë, në përmbajtje, në shprehjet e ndjenjave, në mendimet e autorëve të personazheve të ndryshëm dhe besoj se letërsia moderne bashkëkohore e ka këtë të mirë që të krahasohet me letërsinë klasike. Unë nuk jam i vetmi që mendoj kështu. Ka shumë njerëz që e pëlqejnë letërsinë klasike dhe e gjejnë veten në letërsinë klasike.

Unë kam përkthyer gati 50 libra, një pjesë e të cilave janë kryevepra të letërsisë botërore. Por sikurse e thash, letërsia klasike mua më ka tërhequr shumë. Për mua veprat e Dickens janë të veçanta, jam lodhur shumë me këto vepra, pasi ai është një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe duhet të kesh një kulturë leximi, një formim të jashtëzakonshëm, më ka lodhur, por besoj se stërmundimet janë shpërblyer”./abcnews.al