Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke prezantuar projekt buxhetin për vitin 2025, tha se prioritet do të jetë infrastruktura rrugore. Për buxhetin e vitit që vjen, ministrja tha se do të akordohet një buxhet prej 33,48 miliardë lekësh, një rritje prej 14 përqind krahasuar me vitin e kaluar.
“Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë për të përmbushur detyrimet administron 11 programe, duke nisur nga transporti rrugor si më i rëndësishmi, detar, hekurudhor, ajror, furnizimi me ujë, mbështetje për energjinë, për burimet natyrore, planifikimin urban etj. Nis menjëherë me transportin rrugor si programi më i rëndësishëm i paketës së ministrisë për shkak të impaktit që kanë zhvillimin ekonomik dhe atë social. Duke u mbështetur në objektin për zhvillimin e një infrastrukture strategjike, duke pasur ndërlidhje të këtyre programeve dhe me mbështetjen për energjinë, kështu që synimi zhvillimi i mëtejshëm i këtij sektori. Korridori 8 dhe blu mbajnë pjesën e luanit sa i përket këtij programi. Nga ana tjetër, kërkojmë të përmirësojmë qëndrueshmërinë dhe ndërlidhjen midis rajoneve nga veriu në jug dhe perëndimit dhe lindjes, por dhe ndërlidhjes ndërkufitare, një nga kërkesat kryesore të BE. Të gjitha projektet janë të financuara. Infrastruktura rrugore, për shkak të zhvillimit të si turizmi dhe bujqësia, është një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe kjo reflektohet në buxhetin afatmesëm 2025-2027. Për vitin 2025, projektligji akordon një buxhet për programin rrugor një buxhet total në vlerën 33,48 mld lekë me rritje prej 14 përqind krahasuar me ligjin e vitit të kaluar. Ky buxhet ndahet në shpenzime korente 3.66 mld lekë dhe kapitale 29.82 mld lekë.”, u shpreh ministrja Balluku.