Shqipëria dhe Mali i Zi kanë miratuar ndërtimin e një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin me Velipojën. Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë, nga 70 kilometra sa janë tani, në vetëm disa kilometra. Plazhi i Madh i Ulqinit dhe vendpushimi turistik i Velipojës në Shqipëri janë vetëm disa kilometra larg, në vijë ajrore, por aktualisht duhet të kalohen rreth 70 kilometra, nga Ulqini në veriperëndim deri në pikën kufitare të Sukobinës dhe më pas përmes Shkodrës deri në Velipojë.
Ulqini dhe Velipoja kanë rreth 34 kilometra plazhe me rërë. Këmbët e urës do të jenë në grykëderdhjen e Bunës, me ndërtimin e saj, distanca Velipojë-Ulqin do të jetë vetëm 10 minuta.
Neshet Gjoni në Velipojë pret turistë dhe pyetja më e vështirë për të është: “ Më mirë shkodran apo ulqinak?. “Po na që banojmë në Shkodër, ça me thanë tash, jemi prej Ulqinit a?”, na përgjigjet.
Genti Demolli në Velipojë, ka një përgjigje edhe më të shpejtë dhe nuk mendohet dy herë për të thënë se cila pjesë e brigjeve është më e bukur. “S’ka si vendi yt”!
Ulqini dhe Velipoja kanë 34 kilometra plazh ranor së bashku dhe autostrada joniane do të lidhë brigjet e Adriatikut. Ura në Bunë do të jetë pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, një projekt që do të lidhte Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Përshkojmë rrugën aktuale që duhet bërë tani për të shkuar nga Velipoja në Ulqin, përmes pikës kufitare Muriqan – Sukobin. Vendkalimi kufitar Muriqan – Sukobin ndodhet afër fshatit Muriqan, një vendbanim në ish-komunën e Anës së Malit, Qarku Shkodër.
Me reformën e qeverisjes vendore të vitit 2015 u bë pjesë e bashkisë Shkodër. Pranë këtij fshati ndodhet pikë kalimi kufitar i përbashkët me Malin e Zi. Sukobin është fshati kufitar në komunën e Ulqinit dhe ka një pozicion të përshtatshëm gjeografik, pranë qendrave të njohura tregtare si Shkodra dhe Ulqini të njohura për detari dhe tregti. Ecim drejt grykëderdhjes së Bunës, në plazhin e madh të Ulqinit. Kthehemi për në Ulqin, qytetin e lashtë që do të përfitojë shumë nga kjo urë.
Ulqini është themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. u pushtua nga Perandoria Romake dhe pas ndarjes së perandorisë i kalon Perandorisë Bizantine. Në mesjetë kontrollohet nga Balshajt. Më 1405 merret nga Republika e Venedikut ndërsa në 1571 nga Perandoria Osmane. Në vitet 1880-1916, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, Ulqini i kalon Mbretërisë së Malit të Zi.
Gjatë Luftës së Parë Botërore (1916-1918) kalon në duar të Austro-Hungarisë dhe më pas, deri në vitin 1920, ishte pjesë e Italisë, vit që shënon aneksimin e Ulqinit nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Mbetet pjesë e shtetit të Malit të Zi. Në kalanë e Ulqinit është gdhendur në latinisht një shprehje e famshme.
“Askush nuk është profet në vendin e vet.” Historiani Gazmend Vitaku në Ulqin, na thotë se qyteti është më shumë se 2500 vjeçar. Shkodranët zhvilluan tregtinë ndërsa ulqinaket lundrimin. Tregtia e Shkodrës bëhej me barkat e Ulqinit dhe më pas tregtarët shkodranë u bënë “hisedarë” në anijet ulqinake. Me urën mbi Bunë, rruga për Shqipëri dhe Kosovë shkurtohet në 40 minuta, na thotë Vitaku.
Genci Nimanbegu, Kryetar i Ulqinit, na tregon mbishkrimin latin në kalanë e Ulqinit: “Askush nuk është profet në vendin e vet”. Nëna e tij, Miliha Nimanbegu, na tregon për banorët e kalasë që jetojnë si një familje. Qyteti ka jetuar me ullishte dhe detari. Pas tërmetit, ndryshoi çdo gje, më tepër se gjysma e banorëve nuk u kthyen më.
Genci Nimanbegu, shpjegon se banorët e kalasë apo “Kalalite”, janë njerëz me emocione dhe “te gjithë e ndjejnë veten kapidanë anijesh”.
“Jemi të zhurmshëm, shumë shpejt çohet zani për një argument”, na thotë duke shtuar: “Kemi mentalitetin më mesdhetar se pjesa tjeter e Ulqinit”. Miliha Nimanbegu thotë se trashëgimia që po u lënë brezave është “Dashnia për kala e për gjuhe”.
“Me dashtë kombin, me dashtë vendin e vet”. Ulqini iu ka mbijetuar shumë valëve të pushtimit, me sytë gjithmonë nga Shqipëria në brigjet përtej. Dhe një urë mbi Bunë do ta afrojë Shqipërinë edhe më shumë, dhe do ta rikthejë Ulqinin në një qendër shumë të rëndësishme për turizmin rajonal dhe evropian. Po kështu Velipojën me brigjet e mrekullueshme shqiptare./abcnews.al