Kryeministri, Edi Rama në një postim në “Twitter” ka lajmëruar se do të prezantojë nesër platformën kundër grupit të strukturuar kriminal, që ai e quan AntiKÇK.
Rama thekson se do të prezantojë ligjin special që kishte njoftuar kundër KÇK-së, siç i quan ai gjyqtarët dhe prokurorët që në pritje të vettingut, bëjnë korrupsion. Kryeministri merr në mbrojtje ambasadorët, duke i quajtur të çmuar e duke u ndarë kështu nga etiketimet e fundit që Presidenti ka bërë për disa prej tyre.
Sinjali i parë u dha në parlament, kur kryeministri shenjëstroi prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, si shembulli tipik i gjyqtarëve dhe prokurorëve, që teksa presin të fshihen nga fshesa e Vettingut, bëjnë padrejtësi për të vjelur ryshfetet e fundit dhe për tu shërbyer grupeve kriminale.
Pak javë më pas, kur prokurori i zgjedhur për tu bërë shembull u përball edhe më një atentat mafioz, Edi Rama njofton se ka gati ligjin kundër atyre që i quan KÇK.
“Nesër prezantojmë Paketën Speciale AntiKÇK. Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit. Falë ndihmës së ekspertëve të huaj të klasit të parë në luftën kundër terrorizmit, mafies e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”, shkruan Rama.
Përkrah keqbërësve të përkufizuar si “Të kapim, ç’të kapim”, Edi Rama rreshton dhe Presidentin, edhe pse nuk e përmend atë.
“Sot kur partnerët strategjikë të Shqipërisë e ambasadat e tyre janë vënë në shënjestrën e politikës mjerane të të çmendurve nga frika e drejtësisë, Paketa Speciale AntiKÇK do të provojë përsëri se sa të paçmueshëm janë këta partnerë në luftën e Shqipërisë për progres e drejtësi”, tha Rama.
Ambasadorët, disa prej të cilëve Ilir Meta i quajti palaço e karagjozë, Edi Rama i quan arkitektë të drejtësisë së re dhe të pastruar.
“Pa mbështetjen e SHBA /BE e ndihmën e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, s’do kishte nisur kurrë pastrimi i llumit të madh të (pa)drejtësisë e s’do ishte hapur dot kurrë perspektiva e barazisë së vërtetë para ligjit! Edhe Paketa Speciale AntiKÇK s’do bëhej dot pa ndihmën e tyre”, shkruan ndër të tjera Rama.
Paketa do të prezantohet në një takim të strukturave politike të PS, në orën 11 të së hënës, në ambientet e Art Turbina. /abcnews.al