Naser Aliji nuk është nga ata mbrojtës që shënon. Deri ditën e djeshme kishte shënuar dy herë, në kampionat me Basel dhe në kupat e Europës me Vaduz. Futbollisti i Honved, në Hungari, dje ndihmoi skuadrën e tij të fitonte ndaj Paksi SE.
Aliji realizoi në minutën e 83-të dhe Honved me përmbysje triumfoi dhe mori tre pikët. Ditën e sotme, mbrojtësi ka diçka për të thënë në lidhje me atë gol të shënuar. Një dedikim special, për familjen dhe babanë e tij, i cili para disa kohësh u nda nga jeta.
“Më në fund erdhi dita, kur unë mund të shënoja golin tim të parë për Honved Budapest. Një ditë e mbushur me emocione, sepse dua t’ia dedikoj këtë gol të gjithë njerëzve, veçanërisht familjes time, gruas dhe miqve më të mirë, të cilët më kanë mbështetur në ditë të mira dhe gjithashtu edhe në ditët më të vështira të jetës sime. E fundit, jo nga rëndësia, ky gol ishte për babanë tim. Gjithmonë do të të dua!”, shkruan Aliji në llogarinë e tij në “Instagram”. /abcnews.al
https://www.instagram.com/p/B5P1YwEHQq-/?utm_source=ig_web_copy_link