“Vizita në New York, paraelektorale”/ Çika: Akuza e Bardhit? Rama ishte i “veshur” me dy xhaketa, atë të kryeministrit dhe të kreut të PS

schedule18:55 - 28 Tetor, 2024

schedule 18:55 - 28 Tetor, 2024

Emilio Çika, pedagog për marrëdhëniet ndërkombëtare, komentoi takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Neë York, që u mbajt të shtunën. I ftuar në “Tirana Live”, Çika tha se vizita e tij në New York është në kuadër të fushatës paraelektorale për zgjedhjet që do të mbahen vitin që vjen.

“Mendoj se turi dhe takimi i kryeministrit Rama përkon me zgjedhjet në Shqipëri sesa në SHBA. Është pjesë e para fushatës dhe takimeve që kryeministri ka ndërmarrë për të vënë theksin në atë që është një investim i qeverisë dhe së bashku me opozitën, sepse ishte dakordësi e të dyja palëve për votën e diasporës. Këtu qeveria po i mëshon këtij fakti duke mbartur suksesin e kësaj gjëje dhe është më se normale në aspektin politik. Rama vajti si kryeministër i Shqipërisë dhe kryetar i PS. Shkon me të dyja xhaketat në këtë takim. Është në këtë suazë të takimeve paraelektorale, në kohën e duhur për të dhënë mesazhe të caktuara. Preku disa tematika që kanë rëndësi më shumë për shqiptarët e diasporës, për ndjeshmëritë e tyre edhe që më në fund kanë të drejtën e votës. Është komunitet i lidhur fort në Shqipëri duke pasur shoqata që funksionojnë në SHBA. Pritja në sallë ishte mjaftueshëm e ngrohtë, sigurisht që ka pasur edhe protesta. Nuk e shoh me një sy negativ. Është e pashmanshme që të mos ketë edhe anën e kritikës. Pra, edhe ekzistenca e një zëri opozitar, si protestuesit në SHBA, nuk është diçka as e veçantë që të na bëjë përshtypje.”, tha profesori.

Një koment pati edhe për kërkesën e Gazmend Bardhit drejtuar presidentit Bajram Begaj, ku kërkon që të reagojë për shkak se në takimin e kryeministrit ka pasur pjesëmarrje të trupës diplomatike. Çika u shpreh se Rama ndodhej në New York i veshur me dy xhaketa, të kreut të qeverisë dhe të kreut të PS.

Vizitat e kryeministrit shqiptar, apo çdo kryeministri tjetër nëpër botë që mund të ndërmarrë tur takimesh me diasporën nuk ka asgjë negative. Është për t’u mbështetur. Nëse ka një kritikë që e them përsëri, nuk është diçka negative edhe nga Bardhi në lidhje me kërkesën kundrejt presidentit. Do të thosha që ky siç ishte aq sa ishte një takim politik, nga ana tjetër ishte edhe takim i kryeministrit të Shqipërisë, që zoti Rama ishte i veshur me të dyja kostumet, qoftë të kreut të qeverisë dhe të PS. Le ta shohim prezencën e kryeministrit shqiptar me unitetin e Shqipërisë me atë që është faktori shqiptar në arenën ndërkombëtare, ta shohim si mbështetje ndaj tyre dhe mbështetjen që do të marrë nga ata për të dhënë një frymë qoftë edhe të re nëpërmjet të asaj që është prezenca në zgjedhjet e ardhshme të përfaqësuesve të diasporës.”, shtoi Çika./abcnews.al