Rikthehen Rrajat/ Sërish sherr në Fushë-Krujë, dhunojnë të riun për një kanal

schedule20:59 - 26 Tetor, 2024

schedule 20:59 - 26 Tetor, 2024

KRUJË- Flamur Rraja, vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja së bashku me të birin, Arielin janë shpallur në kërkim nga policia e Krujës.

Ata akuzohen se kanë dhunuar Kujtim Cacën. Mësohet se shkak i konfliktit ka qenë një kanal pranë banesave të tyre. Fillimisht ata kanë debatuar me fjalë banale e më pas janë zënë me grushte e shpulla.

Arjel Rraja, është person me precedentë, dhe më parë ka qenë i ndaluar për shitje të lëndëve narkotike të llojit kokainë.

Fisi Rraja nuk është hera e parë që përfshihen në sherre e raste dhune, kryesisht me banorë të zonës. Në korrik të 2023, ata dhunuan Bilbil e Jashar Maja. Në atë kohë, në videon e dhunës barbare, Flamur Rraja shfaqej me pistoletë në dorë.

Fisi Rraja shfaqi një dhunë brutale ndaj banorëve të Borizanës, të cilët denoncuan në policinë e Fushë Krujës se gurorja në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të ish deputetit socialist Rrahman Rraja, po u shkatërronte shtëpitë.

Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u goditën dhe u kërcënuan me armë nga anëtarë të fisit Rraja, mes tyre djali i deputetit  Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta. Kjo ngjarje çoi në tërheqjen e Rrahman Rrajës nga politika.

Por pas disa muajsh hetime, prokuroria e Tiranës u zbuti akuzën fisit Rraja në plagosje të lehte, duke bërë që ata të liroheshin nga burgu../abcnews.al