Rusia është e gatshme për kompromise të arsyeshme për të zgjidhur çështjen e Ukrainës, por nuk ka negociata thelbësore, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin. “Ne jemi gati të kërkojmë kompromise, jemi gati të bëjmë ato kompromise të arsyeshme, por nuk dua të hyj në detaje tani, sepse nuk ka negociata thelbësore dhe pala tjetër refuzon”, tha Putin në një intervistë.
Putin theksoi se Kievi deri më tani ka refuzuar dy herë iniciativat e negociatave për konfliktin në Ukrainë, të cilat Rusia kishte rënë dakord më parë t’i konsideronte. Duke komentuar propozimet e Turqisë për krizën në Ukrainë, ai shtoi se është e nevojshme të kuptohet se për çfarë është gati Ukraina. Putin deklaroi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një takimi në Kazan në margjinat e samitit të BRICS, propozoi iniciativa në lidhje me krizën ukrainase.
Presidenti i Rusisë tha se do t’i studiojë këto iniciativa. “Kur ramë dakord, dua ta përsëris edhe një herë, të vazhdojmë kontaktet për këtë temë, një ditë më vonë partnerët ukrainas njoftuan papritur se nuk janë gati.
Ndodhi një herë e përsëri, por në fund duhet të kuptojmë nëse janë gati apo jo, për çfarë janë gati, na duhet vetëm kohë për një shqyrtim të detajuar të propozimeve që erdhën nga pala turke”, tha Putin./abcnews.al