TIRANË- Ndërsa grupi ligjor mbrojtës i Sali Berishës është duke u përgatitur për seancën shqyrtuese të 19 nëntorit, në Gjykatë Kushtetuese ka mbërritur një shkresë. Berisha përmes avokatëve të tij kërkon që në këtë seancë të mos jetë gjyqtarja Marsida Xhaferllari, emërtesë kjo e institucionit të Presidentit.
Por arsyeja që Juristët e Berishës e shohin gjyqtaren në konflikt interesi me ish-kryeministrin, nuk është ligjore, por politike. Ne ankese ata i referohen zonjës Xhaferllari si partnerja e Enkelejd Alibeajt.
Alibeaj ishte pjese në Këshillin e Imuniteteve në dhjetorin e vitit të shkuar, dhe ka votuar pro heqjes së imunitetit të Berishës, për ta dorëzuar atë më pas në SPAK, por Alibeaj mungoi në seancë Kuvend, kur u votua heqja e imunitetit.
Nëse kjo kërkesë e Berishës konsiderohet dhe gjyqtarja Xhaferllari përjashtohet me vendim të trupës së gjyqtarëve, atëherë trupa e gjyqtarëve tkurret edhe me.
Kjo pasi në Kushtetuese vijon të jetë vakanca e krijuar nga dorëheqja e Elsa Toskës.
Dorëheqja e cila vazhdon te jete e mbuluar me mister. Relator i çështjes është anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Gent Ibrahimi, shpesh i goditur publikisht nga Sali Berisha, si kunati i deputetes socialiste Mimi Kodheli.
Por vitin e fundit sulmet ndaj Ibrahimit janë shuar, megjithëse ai vazhdon të jetë kunati i zonjes Kodheli.
Ndër anëtaret e tjerë të Kushtetueses, të cilët nuk kanë ardhur nga maxhoranca socialiste, veç Toskës tashmë të dorëhequr dhe Ibrahimit që erdhi nga Këshilli I Lartë I Prokurorisë, është edhe Sonila Bejtja, bashkëshortja e drejtorit të informacionit të Syri Television, për të cilën sigurisht avokatët e Berishës nuk kanë sesi të ankohen, apo ta shohin në konflikt interesi. Sipas procedurës duhen 5 vota pro, për ta cilësuar anti-kushtetuese masën e parë ndaj Berishës.
Një tjetër faktor interesant, përveç motiveve reale të dorëheqjes së Elsa Toskës, është gjatësia e mandatit te saj. Normalisht asaj duhet t’i mbaronte mandate në vitin 2025.
Por kryetarja e kuvendit Spiropali, në njoftimin e saj zyrtar, theksoi se mandati I Toskës, mbaron në vitin 2028, çka do të thotë se kush do të zgjidhet në vend të saj, thjesht do të qëndrojë jo shtatë, por vetëm tre vjet ne postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Nuk dihen arsyet e këtij njoftimi, dhe nuk ka një shpjegim nga zyra e kuvendit.
Ajo që dihet është se krerët parlamentarë të opozitës kishin shtuar presion verbal ndaj kryetares së Kuvendit, duke I kujtuar asaj lidhjet, sipas tyre, me biznesmenin e kapur në komunikimet Enkrochat, duke bashkëpunuar me kriminele.
Paralelisht me çështjen Berisha, në Kushtetuese është edhe një ankesë e këtij biznesmeni, i cili kërkon që komunikimet në Enkrochat, të mos quhen provë, në gjyqin kundër tij.
Janë të gjitha këto lëvizje që shtojnë kuriozitetin e lëvizjeve të dukshme dhe të padukshme që po bëjnë avokatët e Sali Berishës dhe ai vetë.
Berisha, i njohur për retoriken e tij të ashpër sa herë bëhet fjalë për lidhje familjare, ndërsa po kërkon me forcë kokën e Xhaferllarit, duke i përdorur bashkëjetesën me Alibeajn, po hesht për Gent Ibrahimin, kunatin e Mimi Kodhelit.
Dhe nëse këtu fut misterin e ikjes dhe zëvendësimit të Elsa Toskës, kjo e bën edhe me interesante pritjen e vendimit të Kushtetueses me 19 nëntor: a mos vallë Sali Berisha, po rikthehet në liri të plotë?/abcnews.al