Gazetari Fatos Mahmutaj në emisionin “Real Story”, në ABC News foli për çështjen e “21 janarit”. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se në gjithë këto vite ish-kryeministri Sali Berisha kishte ndërtuar një politikë të tillë që të tjerët t’i kishte në shërbime, pasi do t’i merrte në mbrojtje.
Gjithashtu gazetari shtoi se nga përgjimet e “sky ecc” do të ketë ngjarje të tjera duke shtuar se politikanë shqiptarë kanë bashkëpunuar me grupe kriminale.
“ Do t’ju kem gjithmonë në mbrojtje dhe bëni çfarë të doni, vetëm goditni gjithkënd që më del përpara në rrugën time. Nuk është e thënë që Berisha që të dalë të thotë ik vrisni, janë vetë këta që ua thonë dhe ai e aprovon. Ai të tillë e ka ndërtuar politikën, pra janë të tjerët që e bëjnë dhe për benefitet që kanë pas. Unë e kam thënë, kam pamje të momentit të djegies së makinave. Edi Rama nuk dogji makinë…Edi Ramës do t’i bëhej atentat sepse i kishte prerë rrugën Berishës sepse kishte ngritur popullin kundër Berishës. Por shërbimi Informativ punoi mirë dhe u arrestuan. Pra nuk ka nevojë t’u thotë Berisha, dalin vetë këta kamikazët”, tha ai, duke shtuar: “Nga “sky ecc” do dali që politikanë shqiptarë u janë vetëofruar grupeve kriminale. Por këto do jenë dosje të tjera që SPAK i ka Belgjika dhe Franca i ka dërguar në Prokurorinë shqiptare. Do ketë akoma më lart. Kjo është e sigurt”
Gjatë fjalës së tij analisti Arben Meçe, tha se sot shteti ka triumfuar dhe se arrestimi i Metës tregon që drejtësia po bën punë e saj.
“Struktura e Berishës nuk është kaq kaotike. Berisha jep urdhër. Mund të them që ’97 ka qenë e gjitha e organizuar. Nuk ka asgjë spontane në lëvizjet e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Këto janë struktura të organizuara kriminale. Duken si parti, por nuk janë. Kur të zbërthehet dosja do të shihet se si ka funksionuar skema kriminale nën dirigjimin e Ilir Metës. Të gjithë minjtë që janë rrotull tij sot po fshihen. Kimioterapia Dumani do të vijë deri në qelizë… Mund të them që të arrestuar në Shqipëri do të jenë më tepër se 62… Të gjithë këto ngjarje që shohim janë produkte të një skeme që e ka kokën në krye. Në këtë rast jam i entuziazmuar sepse është goditur koka dhe e kuptoni tani se si do të bjerë piramida”, tha ai.
/abcnews.al/