“Qasja e Shqipërisë në BE, shembull për Kosovën”, Pajaziti: Mosqeverisja e duhur e ka sjellë vendin tonë nën sanksione

schedule17:30 - 23 Tetor, 2024

schedule 17:30 - 23 Tetor, 2024

Ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti e ka konsideruar vizitën në Tiranë të presidentjes së Komisionit Europian, Ursula von Der Leyn, një qasje të Shqipërisë për në Bashkimin Europian.

Ai ka thënë në një lidhje me Skype për “Ballkan Update” se vendi ynë duhet të jetë shembull për Kosovën, në mënyrë që kjo e fundit të koordinojë politikat me BE dhe SHBA.

Sipas Pajazitit, mosqeverisja e duhur ka sjellë Kosovën nën sanksione.

“Kjo çfarë po ndodh në Tiranë është diçka që duhet t’i gëzohemi dhe i gëzohemi padyshim të gjithë. Përafrimi i Shqipërisë është mbështetja më e madhe që mund t’i bëhet në çfarëdolloj mënyre Kosovës dhe ne jemi të vetdijshëm për këtë.

Mesazhe të tilla dhe të përsëritura kanë ardhur viteve të fundit edhe nga institucionet e larta të BE dhe nga SHBA, edhe fatkeqësisht ne kemi ngecur në absorvimin e këtyre mesazheve.

Ne si të thuash e kemi paguar çmimin i një regjimi diktatorial në Serbi dhe rrjedhimisht një Serbi e paformuar ka ndikuar negativisht në të gjitha proceset. Kemi si të thuash një politikë jo të duhur dhe të gabuar të qeverisë së Kosovës viteve të fundit, për t’u rreshtuar dhe për t’u koordinuar me politikat e BE dhe SHBA. Jemi në sanksione dhe prandaj kemi një farë izolimi dhe nga partnerët tanë. Prandaj dhe kemi mbetur jashtë disa proceseve të rëndësishme dhe për më tepër e kemi punën në dyshim të proceseve integruese dhe po marrim mesazhe të tilla, të cilat nuk do të duhet të ndodheshin të paktën për shkak të angazhimit të Prishtinës zyrtare”, u shpreh ai./abcnews.al