Heqin tumorin në kokë përmes syrit. Ndërhyrja e rrallë kirurgjikale u krye nga një grup mjekësh kryesuar nga neurokirurgu Artur Xhumari në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Për të mos prekur trurin mjekët shmangën kirurgjinë e hapur dhe ndërhynë përmes endoskopisë, teknikë që po flitet pesë vitet e fundit.
“Zakonisht ne hapim lëkurë, kockë, pastaj largojmë trurin dhe shkojmë gjejmë tumorin që është tumor i mirë, mengeomë, dhe e heqim… Kjo metodë bën të mundur që përmes një rruge të re përmes syrit të mos kesh nevojë të largosh trurin për të gjetur tumorin, ai del direkt. Rrugë që po flitet në këto pesë vitet e fundit, përmes endoskopisë e cila lejon të shkosh thellë, me dritën dhe kamerën”, ka thënë neurokirurgu Artur Xhumari.
Ndërhyrja kirurgjikale zgjati rreth pesë orë dhe pacienti një 60-vjeçar nga Fieri gëzon shëndet të plotë. Një operacion i tillë sipas mjekëve ka disa avantazhe në raport me kirurgjinë e hapur.
“Rikuperim më i shpejtë, truri nuk ekspozohet ndaj dritës, ajrit. Zgjat më pak qëndrimi në spital, ulet risku që ka një ndërhyrje klasike, infeksion, dhimbje, hemorragji”, u shpreh ai.
Numri i operacioneve në shërbimin e neurokirurgjisë vitet e fundit është rritur dhe kjo sipas mjekëve ka një arsye.
“Nëse më parë thonim nuk e operojmë dot, se është një zonë qe nuk e operojmë dot, tani me një metode të re mund të shkojmë me te sigurt dhe ja propozojmë pacientit”, shtoi ai.
Përmes kësaj teknike të veçantë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë operuar dy persona.
/abcnews.al/