“Hapja e grup kapitujve duhej të ndodhte vite më parë”, Tabaku në “Real Story”: Krijojmë një marrëdhënie të re me institucionet evropiane

schedule20:08 - 17 Tetor, 2024

schedule 20:08 - 17 Tetor, 2024

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku thotë se çelja e grup kapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë me BE-në duhet të ishte ndodhur shumë vite më parë.

E ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, deputetja, e cila është edhe kryetare e komisionit të Integrimit, tha se nëse do të kishte qenë në qeverisje, do t’u kishte kërkuar ndjesë qytetarëve, që ky hap nuk ka ndodhur më herët.

Ajo theksoi se me hapjen e grup kapitujve, tashmë krijohet një marrëdhënie e re me institucionet evropiane. Sipas saj, kjo ishte një arritje për presidencën hungareze pasi shumë presidenca të mëparshme nuk patën rezultate konkrete për Ballkanin Perëndimor.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Më bëri përshtypje, pasi e dini që jeni open minded në sensin e ndarjes së gjërave politike në atë që janë në interes për vendin. Më bëri përshtypje entuziazmi i përfaqësuesve të KE dhe të presidencës hungareze por edhe komenti juaj. Ju bëtë thirrje që nuk ka vend për festë por për reflektim.

Jorida Tabaku: Nuk e di se çfarë çudie dhe habie që ju keni sepse ishte deklaratë korrekte që pas 11 vitesh, kur feston çdo vit që u hapën negociatat, në fund të ditës mund të thuash ndjesë që keni festuar kot bashkë me mua sepse sot në të vërtetë u hapën negociatat. Unë e kuptoj edhe entuziazmin e presidencës hungareze sepse ishte një arritje pas shumë presidencave pa asnjë rezultat konkret për integrimin në përgjithësi, për Ballkanin Perëndimor në 4 vitet e fundit. I gjithë Komisioni në fakt, janë marrë vendime që do të hapen, do të merret statusi i vendit kandidat edhe për vende plus si diskutimet për Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, por kjo ishte hapi i parë në të gjithë mandatin e këtij komisioni që ndodhi në presidencën hungareze. Por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme tashmë të presidencës hungareze dhe debatin me presidenten e komisionit. Pak ditë më parë në PE, përfaqësuesit e Orban dolën me një krenari që në presidencën tonë ndodhi ky hap. Unë kam menduar që kjo duhet të kishte ndodhur shumë vite më parë, duhet të ishte një situatë komplet ndryshe sepse, edhe për opozitën do të ishte më mirë, do të kishim lëvizur nga një diskutim është apo nuk është hapur negociatat. Erdhi apo jo data me një diskutim përmbajtësor se nga ky moment nis diskutimi. Tani nuk ka më as fotot e rastit, as diskutimet e ka fajin Evropa…

Sokol Balla: Unë kam qenë pjesë e këtij debati prej shumë vitesh kur debati ngrihej në një nivel absurd politik ndërkohë që thosha se ky proces monitorimi është më i mirë sepse do të të numërohen pikët, e kalon apo jo provimin. Pra, është më mirë edhe për vendin…

Jorida Tabaku: Jam e sigurt që qeveria ka pasur një justifikim shumë të mirë, që s’po na hapin negociatat. Për çdo ligj. Dje doli një sërë vendimesh të ligjit për legalizimin e kanabisit dhe qeveria kishte justifikimin se ne nuk kemi filluar akoma negociatat, nuk jemi akoma në bisedime. Çdo gjë lihej në një pending, në një situatë në ankth sepse nuk kemi filluar akoma bisedimet ndërkohë që tashmë kemi një marrëdhënie të re me ato institucione, një raport të ri nga pikëpamja e përmbushjes së detyrimeve por nga ana tjetër, kemi edhe një obligim për qytetarët shqiptarë dhe unë nuk di se as pse duhet të të bëjë habi ty që unë them po të kisha qenë sot në qeverisje, do t’ju kisha kërkuar ndjesë shqiptarëve. Do t’ju kisha thënë kërkojmë ndjesë që s’e bëmë këtë më herët, një vullnet politik që duhet të kishte ekzistuar nuk ishte aty për të ecur përpara. Dhe kam disa vite që them e të dalim përtej datës, hajde punojmë për reformat. Kjo ka qenë edhe mendësia e komisionit nga ato check listat e ligjeve që duheshin miratuar, kanë kaluar në gjëra më konkrete sepse po humb momentum në Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor, tek njerëzit që besojnë se ky proces duhet të vijë prej qeverisjes së pari, prej mungesës së reformave së dyti, dhe prej normës së lartë të emigrimit që Shqipëria e kryeson në rajon./abcnews.al