Ka filluar tashmë senca në gjykatën e Krimeve të Rënda për përcaktimin e masës së re të sigurisë për grupin “Bajri”, ndaj të cilëve u lëshuan nëntë urdhra arresti dy ditë më parë.
Prokuroria pretendon në dosjen hetimore se ky grup ka vijuar të funksionojë normalisht pavarësisht se Behar Bajri, i njohur si koka e grupit ndodhet prej një viti i burgosur në Holandë.
Siç raporton për abcnews.al gazetarja Glidona Daci, prokuroria ka vërtetuar se është pikërisht e dashura e Behar Bajrit ajo që ka bërë rolin e korrieres duke marrë urdhra prej kokës së grupit, të cilat më pas ia transmetonte të tjerëve në Shqipëri.
Mësohet se prokuroria e ka patur nën përgjim Muratin dhe anëtarë të tjerë të grupit “Bajri”, ku edhe ka zbuluar rolin e saj si korriere.
Ajo është vëzhguar edhe gjatë hyrje-daljeve nga Shqipëria duke verifikuar edhe destinacionin final, i cili ishte Holanda.
Jorida Muarati, e dashura e Behar Bajrit shkonte vazhdimisht në Holandë për ta takuar atë në burg.
Ky është momenti sipas prokurorisë kur ajo merrte urdhrat nga Behar Bajri dhe ia jepte të tjerëve kur vinte në Shqipëri.
Prokuroria thekson se ka fotografi, përgjime dhe video të aktivitetit të Jorida Muratit si koordinatore e komunikimit të Behar Bajrit me pjesën tjetër të grupit.
Krahas kësaj, ajo rezulton e punësuar si infermiere në spitalin Rajonal të Shkodrës duke marrë pagën sipas prokurorisë pa shkuar fare në punë. Sipas dosjes hetimore, grupi akuzohet gjithashtu se kanë kapur OSHEE-në e Shkodrës duke bërë punësime fiktive edhe aty. /abcnews.al