Çdo i burgosur ka vetëm një synim. Të fitojë lirinë. Disa ndjekin rrugën gjyqësore, duke gjetur boshllëqe ligjore, ndonjëherë me procedurë, e në shumë raste me ryshfet.
E kur asnjë nga këto nuk funksionon, kërkojnë të realizojnë edhe më të pamundurën. Arratisjen.
Në kushtet kur nuk kanë më asgjë për të humbur, për ta ia vlen çdo rrezik. Për ta realizuar provojnë gjithçka. Bashkëpunimin nga brenda, por edhe nga jashtë. Avancimi teknologjik në shumë raste u ka ardhur në ndihmë edhe të dënuarve, duke cënuar jo pak sistemin e sigurisë së burgjeve.
Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, pothuajse në të gjithë botën, sot po përballen me një kërcënim të ri për sigurinë e tyre. Ky kërcënim vjen nga dronët. Nëpërmjet tyre është arritur të futet lëndë narkotike, celularë bashkë me aksesorët e tyre e në ndonjë rast edhe armë.
Në Shqipëri rastet kanë qenë të rralla, të paktën ato të evidentuara dhe kanë nisur nga viti 2019, me një dron që u kap në Burgun e Shënkollit në Lezhë. Ndërsa dy të tjerë u kapën gjatë muajit shtator të vitit 2024, në Burrel dhe Peqin.
Por në Amerikë, Kanada e Mbretërinë e Bashkuar, dronët janë kthyer në shqetësim serioz për strukturat e drejtësisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka ngritur si shqetësim kërcënimin që u vinte sigurisë së burgjeve që prej vitit 2015. Nga ky vit deri në vitin 2019, ishin regjistruar 130 incidente me dron në burgje. Ndërsa më vonë rastet e shtuan me 87 për qind. Por shumë raste të tjera mund të kenë kaluar pa u diktuar nga askush, pasi syri i njeriut e ka të pamundur pikasjen e një droni. Vetëm pas instalimit të strukturave për zbulimin e tyre, u kuptua se kishte shumë fluturime të dronëve pranë burgjeve. U zbulua se mjetet fluturuese përdoreshin kryesisht për të të futur drogë, celularë dhe armë.
Mbretëria e Bashkuar, në fillim të vitit 2024, ka vënë në zbatim planin për të ndaluar zona fluturimin e dronëve në zonat rreth burgjeve, me qëllim për të luftuar kontrabandën përmes tyre. Me qëllim parandaluar dhe goditur këtë aktivitet, që e konsideron kërcënim serioz për sigurinë e burgjeve, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka prezantuar rregullore të reja që vendosin “zona të ndalimit të fluturimit” me dron 400 metra rreth objekteve të burgut. Njoftimi, i detajuar në një deklaratë për shtyp të datës 25 janar 2024, synon të trajtojë përdorimin në rritje të dronëve nga bandat kriminale që përpiqen të transportojnë sende të paligjshme, duke përfshirë telefona, drogë dhe armë, në burgje.
Sipas legjislacionit të ri atje, tani konsiderohet si një vepër penale fluturimi i dronëve brenda 400 metrave nga burgjet. Kërkesa e mëparshme për ndërhyrjen e Policisë ishte e varur nga provat. Operatorët e dronëve që shkelin këto kufizime mund të përballen me gjoba deri në 2500 paund, ndërsa ata që përfshihen në kontrabandën e sendeve të paligjshme që kontribuojnë në dhunën dhe kriminalitetin brenda burgjeve mund të përballen me një dënim maksimal prej 10 vitesh.
Në shtator të vitit 2024, ndodhën dy incidente me dron në dy prej burgjeve shqiptare të sigurisë së lartë. Në Burrel dhe në Peqin. Konkretisht, më 8 shtator një dron u konstatua mbi burgun e Burrelit. Drejtoria e Burgjeve ka deklaruar se pajisja u ngrit nga grupet kriminale për të marrë pamje, por nuk kishte objekte të ndaluara. Mjeti fluturues iu nënshtrua ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Dy ditë pas incidentit, 36-vjeçari Taulant Ahmetsulaj, është paraqitur në Prokurorinë e Dibrës, duke deklaruar se djali i tij 4 vjeç, të cilit i kishte blerë dron, i kishte thënë se i kishte humbur. Ai ka dhënë dëshminë e tij, duke dorëzuar edhe pjesën e komandimit të dronit. Megjithatë grupi hetimor pretendon se e ka të dyshuar këtë person, pavarësisht versionit që ai ka dhënë për ngjarjen.
Pesë ditë më vonë një tjetër incident, kësaj here me prova konkrete, ndodhi në një tjetër burg të sigurisë së lartë, atë të Peqinit, që supozohej të kishte edhe masa të shtuara, pas vrasjes që ndodhi në dhjetor të vitit 2023. Më 13 shtator, gjatë orëve të natës, policët e rrethimit të jashtëm të burgut, dëgjuan zhurmën e dronit dhe dhanë alarmin. Droni kishte hyrë brenda burgut dhe pas kontrollit janë gjetur të hedhur dy celularët ‘Iphone’, 8 fisha karikuesi, 33 doza të dyshuara lëndë narkotike kokainë, rreth 210 gram e ndarë në doza të vogla lëndë e dyshuar kanabis sativa. Ngjarja vijon të jetë në hetim dhe ende nuk dihet se kush qëndron pas dronit dhe kush janë të dënuarit, që prisnin telefonat celularë, karikuesit dhe sasinë e lëndës narkotike të llojit kanabis e kokainë.
Por sistemi i burgjeve në Shqipëri ishte përballur edhe më herët me rastet të futjes së sendeve të jashtëligjshme. Mbrëmjen e 6 korrik të vitit 2019, në Burgun e Shënkollit në Lezhë, 3 të rinjë tentuan të fusin 7 pako me kanabis dhe 3 celularë me anë të një droni. Sendet e ndaluara ishin të lidhura në dronin që u evidentua nga gardianët dhe u kap nga Policia në rrethimin e jashtëm të burgut. Tre të rinjtë u arrestuan nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa në makinën e tyre u gjet edhe telekomanda, me të cilën komandonin mjetin fluturues.
Dy rastet e ndodhur brenda 5 ditëve të para të shatorit të vitit 2024, ku dronët cënuan sigurinë e dy prej burgjeve të sigurisë së lartë, sollën edhe reagimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose. Duke raportuar në Komisionin e Sigurisë, më 16 shtator, Qose kërkoi investime për sisteme teknologjike të mbrojtjes, mes tyre edhe sisteme antidron. Drejtori i Burgjeve përmendi edhe një situatë hipotetike, siç mund të jenë tentativat e grupeve kriminale për të goditur grupet rivale edhe brenda burgut, madje duke hedhur edhe eksploziv me dron. Dhe kjo e bën të domosdoshëm dhe emergjent një investim në sistemin e mbrojtjes dhe kryesisht atë antidron.
Klevis Qose: Disa nga problematikat e tjera janë cenimi i sigurisë në sistemin penitenciar nga futja e sendeve dhe mjetet fluturuese. Jo më larg se 20 ditët e fundit janë konstatuar nga sistemi penitenciar dy herë cenimi i sigurisë nga mjetet fluturuese. Një mjet, i cili u konstatua dhe u bë ndalimi i tij në IEVP Burrel, institucion i sigurisë së lartë dhe një rast tjetër në institucionin e sigurisë së lartë Peqin, ku u arrit të konstatohej nga punonjësit e sigurisë një dron, i cili nuk arriti të ndalohej, por u konstatuan sendet që arritën të depërtonin në këto ambiente, të cilët ishin 2 aparatë celularë, 8 fisha për karikimin e telefonave, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa dhe lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Është forma më e lehtë në konceptin tim futja e sendeve, në krahasim me çfarë mund të sjellë dëmtimi nga futja e sendeve të tjera nga këto pajisje fluturuese, duke parë që tentativat e grupeve kriminale për të goditur veprimtarinë e grupeve rivale, mund të ishte edhe një sasi eksplozivi, e cila do të ishte fatale për sistemin penitenciar, edhe për të dënuarit, edhe për të paraburgosurit. Fatmirësisht nuk kemi rast të tillë të konstatuar.
Futja e drogës dhe celularëve përmes dronit në një burg të sigurisë së lartë sikurse është ai i Peqinit, po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Elbasanit dhe ende nuk është arritur të zbulohet qoftë personi që e ka futur apo i dënuari që priste një porosi të tillë. Zv.prokurori i Elbasanit, Xhelian Seferi thotë se një ngjarje e tillë është tregues për cenimin e sigurisë së burgut.
Xhelian Seferi: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të kompetencës së saj lëndore, por edhe asaj tokësore, përfshin në hetimin e veprave penale të ndodhura në sistemin e burgjeve tre IEVP. Është Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale të Sigurisë së Lartë të Peqinit, paraburgimi i Bradasheshit në Elbasan, si dhe burgun Kosovë e Madhe në Lushnjë. Si pasojë e pasjes së tre IEVP në juridiksion tokësor, rezulton se kanë ndodhur ngjarje, të cilat kanë sjellë si pasojë cenimin e sigurisë në burgje dhe janë të referuara si nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, po ashtu edhe nga Drejtoria e Sherbimit të Kotrollit të Brendshëm të Burgjeve. Fakti që ju thoni mbi afrimin e dronëve dhe hedhjen e sendeve të kundraligjshme në burgun e Peqinit, nga ana e Prokurorisë është regjistruar procedim penal dhe çështja është në hetim. Fakti që kemi raste të tilla të bëra publike dhe jo vetëm, rezulton se është cenuar në raste të caktuara siguria e burgjeve, aq më tepër e burgjeve me siguri të lartë.
Në fakt, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës, ndodh që shumë dronë të kapen e ndonjë tjetër të kalojë pa u dedektuar, në rastet kur sistemet e sigurisë nuk funksionojnë. Por bashkëpunimi institucional mes organeve hetimore dhe vetë Burgjeve është vënë në alert për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Edhe zv.drejtori i Burgjeve, Femi Sufaj, thotë se rastet tashmë po hetohen nga Prokuroria, por sipas tij është pozitiv fakti që droni është kapur në kohë nga punonjësit e sigurisë.
Femi Sufaj: Në të dy rastet është pozitiv fakti që ne kemi një ruajtje perimetrike të sigurt, pasi kemi punonjës Policie edhe të kualifikuar, edhe të armatosur, që mbulojnë një territor të caktuar dhe kanë mundësi ta përballojnë territorin me mbikëqyrje. Është shumë pozitive që punonjësit ishin në detyrë dhe arritën të kuptojnë që në territorin e brendshëm, pra brenda perimetrit të sigurisë, është hedhur një mjet fluturues, dron. Në rastin e parë, në Burrel, droni ishte me kamera. Është bllokuar nga Prokuroria dhe po vazhdojnë hetimet. Ende nuk kemi përfundime për autorët, apo qëllime të tjera më të detajuara. Ndërsa në Burgun e Peqinit, disa ditë më vonë, u hodh një dron, i cili në trupin e tij kishte dy celularë dhe lëndë narkotike, që për fat edhe ky u kap nga punonjësit e sigurisë së burgut. Menjëherë u morën masat e bllokimit, u njoftua Policia e Prokuroria dhe po vazhdojnë hetimet, por të paktën ne nuk jemi vënë në dijeni për përfundimin e hetimeve. Në rastin e parë nuk ka filmuar gjë, thjeshtë ka rënë në oborrin e burgut dhe Policia e Prokuroria po bëjnë hetimet përkatëse. Ndërsa për rastin e dytë që kishte dy celularë dhe lëndë narkotike, po vazhdojnë hetimet dhe nuk kemi një konkluzion deri tani.
Xhelian Seferi: Ne si Prokurori kemi pasur bashkëpunim të ngushtë për hetimin e rasteve të tilla si me Drejtorinë e Përgjithshme e Burgjeve, po ashtu edhe me Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, duke kryer veprimet tona hetimore për rastet e referuara nga ana e tyre.
Avancimi i teknologjisë është një rrezik i shtuar për sigurinë e vetë të dënuarve, por edhe të punonjësve të burgjeve. Në një kohë që vite me parë shqetësimet lidheshin vetëm për futjet e lëndëve narkotike apo dhe celularëve, në forma të ndryshme më të vështira, sot droni ka lehtësuar rrugën e kontrabandës.
Femi Sufaj: Gjatë raportimit që bëri drejtori i Përgjithshëm dhe stafi i tij në Komisionin e Sigurisë, u kërkuan fonde dhe mbështetje për rritjen e sigurisë, sidomos në fushën e mbrojtjes ajrore, të përmirësimit dixhital, përpunimit të të dhënave, të përpunimit të informacioneve, të elementëve të tjerë të kontrollit, siç janë: Porta detektorë, skaner, etj. Këto janë pjesë shumë e rëndësishme që mbështesin punën e stafit, për të garantuar një siguri efektive. Normalisht që jemi në një situatë ku teknologjia ka avancuar. Në qoftë se do ktheheshim vite më përpara, mjetet kryesore që gjendeshin nëpër burgje ishin thika të rëndomta, mjete prerëse, më vonë dolën mjetet e komunikimit, celularët, mjetet regjistruese. Tani kemi risk edhe nga mjetet ajrore, siç janë dronët, pasi ky problem është kapur shumë më herët në vendet e tjera të Evropës Perëndimore dhe në vende të tjera të zhvilluara, por aktualisht siç jeni në dijeni edhe në institucionet tona kemi pasur raste që janë kapur dhe tentativa për të futur sende të ndaluara me dron.
Xhelian Seferi: Në sistemin e burgjeve, në çdo IEVP që ne kemi në kompetencë, haset më shumë futja e sendeve të ndaluara siç janë, telefonat celularë, si dhe lëndët narkotike. Statistikat tregojnë se këto janë dy sendet që gjenden dhe sekuestrohen më shpesh në burgje. Por nuk mungojnë pijet alkoolike, të bëra vetë në ambientet e burgut apo paraburgimit, apo të futura edhe nga jashtë.
Duke iu referuar praktikave që vende të zhvilluara, siç është Anglia kanë përdorur, qoftë edhe për ta sanksionuar me ligj përdorimin e dronin në hapësirat qoftë edhe pranë perimetrit të burgjeve, mund të jetë një shembull për të bërë një ndryshim në Kodin Penal të Shqipërisë. Pa çka se me ndryshimet e fundit, atë të vitit 2015, ka një nen të veçantë që sanksionon futjen e sendeve të paligjshme në burg. Megjithatë nuk specifikohet mjeti me të cilin futen, ndryshe nga çfarë parashikohet në kodin penal të Mbretërisë së Bashkuar, ku maksimumi i dënimit shkon në 10 vjet heqje lirie.
Xhelian Seferi: Në nenin 324/a të Kodit Penal, është e parashikuar mbajtja ose futja e sendeve të ndaluara në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, që në kryerjen e kësaj vepre penale nuk përcakton ndonjë mjet apo formë të caktuar. Përdorimi i dronëve është një teknologji e re, një dritare e re, e cila shfrytëzohet nga persona të caktuar, në mënyrë që të thyejnë dhe të cenojnë sigurinë e burgjeve. Tradicionalja mbetet futja e sendeve të paligjshme nga familjarë, apo vetë punonjës të burgjeve, duke u cenuar kështu siguria në burgje.
Në nenin 324 të Kodin Penal, Neni 324 “Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim”, që është vendosur si dispozitë në vitin 2015, parashikohet një dënim me 3 vjet, në rastet e dhënies së informacioneve, apo mjeteve dhe nga 5 deri në 10 vjet burg në rastet kur dhënia e ndihmës jepet nga vetë i ngarkuari me punë për ruajtjen, mbikëqyrjen apo transportin. Që kur është vënë në zbatim ky ndryshim ligjor, janë dënuar shumë persona që kanë tentuar të fusin sende të ndaluara në burg, ose janë kapur me sende të ndaluara, apo i transportojnë. Mes të ndaluarve kanë qenë punonjës të burgjeve, vizitorë por edhe vetë persona të burgosur.
Femi Sufaj: Mendoj që kjo vepër penale, pra tentativa për të futur sende të ndaluara nëpërmjet dronëve, familjarëve, ushqimeve, apo formave të tjera që janë të panumërta, është e parashikuar në Kodin Penal, Neni 324, që është vendosur si dispozitë në vitin 2015 dhe që nga ajo kohë janë dënuar shumë persona që kanë tentuar të fusin sende të ndaluara në burg, ose janë kapur me sende të ndaluara, apo i transportojnë. Si punonjës, si vizitorë, si të burgosur. Kështu që mendoj se nuk ka vakum ligjor për sa i përket dispozitave të Kodit Penal, thjeshtë është e nevojshme, për shkak të zhvillimeve teknologjike, që të përforcohen elementët e mbrojtjes, pasi siç e thashë ka evoluuar teknologjia. Është një lajm i mirë evoluimi i teknologjisë, por janë shumë ngjarje që janë pozitive, por mund të kenë ndikim negativ, siç ka ndikim negativ në këtë rast për sistemin e sigurisë së burgjeve. Prandaj ka nisur një proces aplikimi i këtij projekti, që është pranuar nga organet vendimmarrëse e Ministria e Drejtësisë, që do të mbështetet Drejtoria e Burgjeve me një buxhet të caktuar për të garantuar mbrojtjen ajrore, të paktën në burgjet e sigurisë së lartë dhe në burgje ku ka fusha të hapura ajrimi, terrene që janë edhe brenda komunitetit. Është ndryshe një burg në komunitet, siç është “Mine Peza”, ku risku është më i lartë dhe është ndryshe një burg që ndodhet në komunitet më të hapur, siç janë Fieri, ose Shkodra. Është në zonë të banuar, por ka hapësira të mëdha dhe mund të kuptohet lehtësisht, sepse stafet tona janë trajnuar, janë instruktuar, kemi zhvilluar kohët e fundit edhe disa trajnime për të rritur vigjilencën dhe aftësitë mbikëqyrëse për objektet fluturuese.
Megjithatë projekti për mbrojtjen ajrore me detektorë dhe sisteme moderne antidron, duket si mundësia më e mirë për të minimizuar kërcënimin që u vjen burgjeve nga mjetet fluturuese. Stafi i institucioneve të vuajtjes së dënimit, që do të ngarkuar me detyrë për identifikimin dhe reagimin ndaj dronëve duhet të kapërcejë teknologjinë që po fiton shpejt aftësi të zgjeruara për të ofruar kontrabandë dhe për të shmangur zbulimin. Përparimet në teknologjinë e dronëve e kanë bërë zbulimin e tyre edhe më sfidues. Pajisje të tilla fluturuese, kanë kamera të sofistikuara dhe softuer hartash 3D që mund të përdoren për mbikëqyrjen ajrore të burgjeve. Kanë sensorë që i lejojnë të shmangin pengesat dhe stabiliteti, që i bëjnë dronët më të lehtë për t’u përdorur, qoftë edhe me aftësi minimale. Gjithashtu janë të pajisur me bateri dhe komponentë të tjerë që u mundësojnë dronëve fluturimin e shpejtë dhe më gjatë. Madje një dizajn i ri i dronëve pretendon se ka 120 minuta kohë fluturimi dhe një distancë deri në 18.6 milje. Po ashtu, kanë aftësia për të fluturuar në mënyrë autonome në shtigje të paracaktuara. Disa teknologji zbulimi mund të rrisin vëzhgimin njerëzor të dronëve në një mjedis me siguri maksimale siç janë burgjet dhe mund të ndihmojnë autoritetet që të kuptojmë më mirë shtrirjen e kërcënimit të paraqitur nga dronët. Por disa teknologji të krijuara për të luftuar dronët duke kapur, ruajtur ose përgjuar sinjale në ose nga një dron, në disa vende të botës janë parë me dyshim pasi mund të shkelin ligjet.
Femi Sufaj: Nisur nga kjo situatë që ndodhi në vendin tonë, por edhe nga vlerësimi i rrezikshmërisë, që mund të cenohet siguria nga mjetet fluturuese, nga dronë, madje dikur janë përdorur edhe shpendë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë menjëherë në lëvizje, me mbështetjen edhe të Ministrisë së Drejtësisë, ka hartuar një projekt që i është dërguar Agjencisë Shtetërorë së Informacionit dhe janë duke hartuar një projekt, i cili do të financohet nga buxheti i shtetit, për mbrojtjen të paktën me sistem deduktues dhe bllokues të mjeteve të fluturimit, i cili do të aplikohet nga AKSHI me buxhetin e shtetit. Si praktika, si eksperienca, disa vende të zhvilluara e kanë, për shembull në Angli. Ne kemi marrëveshje me Anglinë brenda projektit dhe brenda marrëveshjes që po aplikohet, do të jepet eksperiencë edhe për aplikimin sa më mirë të projektit për mbrojtjen ajrore. Pra për pajisje detektimi dhe bllokimi të këtyre mjeteve fluturuese afër territorit të burgut.
Një ngjarje e rëndë që kërcënoi seriozisht sigurinë e burgjeve, ndodhi pikërisht në një burg të sigurisë së lartë, atë të Peqinit, më 15 dhjetor të vitit 2023. Në orën 13:52, në ambientet e regjimit të brendshëm të IEVP Peqin, i dënuari me burgim përjetshëm, i caktuar me vendim gjykate në sigurinë e lartë, Sokol Mjacaj, me armë zjarri, pistoletë, ka gjuajtur në drejtim të të dënuarve Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja. Ka lënë të vdekur në vend Arben Lleshin dhe plagosur Indrit Shaqjan. Më pas, Mjacaj ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit, si dhe është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.
Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve shkresore të administruara, arma e zjarrit rezulton se është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga autori, për një kohë rreth 20 ditë. Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij edhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm).
Ka dyshime që pistoleta, e llojit revolver, me mulli, është fshehur nga Mjacaj në tualet. Mendohet se, duke qenë një objekt i vogël, jo më shumë se 300 gramë, arma është futur në shkarkuesin e tualetit.
Pasi u dorëzua, Sokol Mjacaj u shoqërua për t’u marrë në pyetje nga prokurori. Por dëshmia e tij përveçse zbuloi se sa i pasigurt ishte një burg i sigurisë së lartë, nuk ndihmoi në zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Pa shprehur pendesë për atë që kishte ndodhur, Mjacaj tregoi një skenar që duket se e ndërtoi aty për aty. Nuk kishte pasur kohë ta mendonte më mirë, pasi siç e pranoi edhe vetë, vrasjen e përshpejtoi pasi mësoi se do të transferohej në regjimin “41 Bis”. Të paktën kjo mund të jetë e vërtetë. Por që krimi të ishte për një sherr brenda burgut, apo edhe më shumë se aq, por po aty brenda 4 mureve, pak kush mund ta besojë. Ai tha se armën e mbante në qeli prej kohësh, por jo se si e kishte marrë e kush e kishte ndihmuar.
Sokol Mjacaj është një i dënuar që nuk vizitohej shpesh në burg. Madje mund të thuhet se ishte braktisur aty. Por rreth 2 muaj më parë, 2 të afërm i kishin shkuar për vizitë, ndonëse kishin më shumë se 3 vjet që nuk kishte asnjë kontakt me familjen. Kjo po verifikohet tashmë nga grupi hetimor si një prej hallkave të një plani të organizuar nga jashtë. Pista më e mundshme është ajo e një vrasjeje me pagesë. Kamber Hoxha, drejtor i Burgut të Peqinit, ka përmendur në veçanti dy persona që e kanë vizituar. Të vëllain dhe një vajzë që në disa raste është prezantuar si kushërira e në rastin e fundit si mikeshë e Mjacajt.
Me vendim të Prokurorit të çështjes është urdhëruar ndalimi si të dyshuar për një krim edhe i 12 zyrtarëve e punonjësve të Burgut të Peqinit. Këta persona aktualisht nuk ndodhen më në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit ka vendosur një masë më të lehtë sigurimi për ta. Por ajo që vijon të mbetet mister është mënyra se si është future arma e zjarrit Brenda regjimit të burgut.
Femi Sufaj: Ngjarja e Peqinit, siç e kemi prezantuar edhe me informacione zyrtare, është një ngjarje në hetim nga organet ligjzbatuese, nga Prokuroria dhe akoma edhe për këtë ngjarje nuk kemi përfundime për ecurinë e hetimeve. Sigurisht janë shumë persona që janë në hetim, janë thirrur persona që janë brenda burgut dhe jashtë tij. Ne kemi marrë masa konkrete për të ndryshuar disa gjëra konkrete, siç është mënyra e funksionimit të kontrollit, përmirësimi i pajisjeve të kontrollit, shtimi dhe përmirësimi i kamerave, ndryshimi dhe përmirësimi i stafit, pasi edhe stafi ndoshta nga rutina e përditshme atje, apo nga neglizhenca, mos të themi ndoshta edhe nga bashkëpunimi, por këto janë gjëra në hetim dhe nuk e dimë se si do dalin. Por që nuk ka funksionuar, unë mendoj se është një krim i organizuar nga jashtë sistemit. Pra ishte një ngjarje e rëndë, e mirë përgatitur dhe ndoshta organet hetimore do të japin verdiktin më të saktë. Ne sigurisht që kemi marrë masat tona paraprake. Është hartuar në moment një qarkore për masa të veçanta sigurie, janë ndryshuar disa skema sigurie në institucion, pra ndryshe nga si funksiononin më përpara, janë përmirësuar teknikat dhe pajisjet e kontrollit aty. Po kështu edhe stafi, përveç instruktimeve, kemi edhe rinovim të stafit dhe mendoj se shumë ngjarje kanë edhe impaktin pozitiv. Pra në aspektin e motivimit dhe mobilizimit të stafit, të rritjes së vëmendjes dhe përqendrimit, ka ndikuar pozitivisht. Sigurisht që ka ndihmuar negativisht për imazhin, por kjo ngjarje ndodhte për herë të parë në Shqipëri dhe prandaj bëri kaq bujë. Sigurisht që ishte ngjarje shumë e rëndë, por krahas impaktit negativ që ishte mungesa e sigurisë dhe humbjes së jetës, ka dhënë impakt pozitiv në aspektin e mobilizimit të stafit.
Xhelian Seferi: Në vitin 2023, më 15 dhjetor, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në IEVP Peqin, me pasojë humbjen e jetës së një të dënuari, ku u përdor armë zjarri. Çështja është ende në hetim.
Një nga mundësitë për futjen e armës së vrasjes në Burgun e Peqinit, ishte edhe ajo me dron. Megjithatë asgjë nuk mund të thuhet më siguri deri në përfundim të hetimeve.
Femi Sufaj: Në fakt edhe unë kam pasur dyshime që në ditën e parë që mund të jetë hedhur arma me dron. Por ky është vetëm një opsion, mund të ketë edhe dhjetëra opsione të tjera. Kështu që janë vetëm organet kompetente që do ta thonë fjalën e duhur për këtë ngjarje.
Përgjithësisht armët që futen në sistemin e burgjeve, janë një mjet që vetë të dënuarit i përdorin si një mundësi për t’u arratisur. Megjithatë janë të rralla. Që nga viti 1991, kur u shënua rasti i parë i futjes së një arme në burgun e Lezhës dhe në vazhdim, janë zbuluar vetëm 4 raste të futjes së armëve.
Më 17 prill të vitit 2002, në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës janë gjetur tre armë zjarri, një kallëp dinamiti dhe dhjetë pako të dyshimta të izoluara me letër ngjitëse. Armët u zbuluan gjatë një kontrolli të forcave policore të ndihmuara nga grupet e gatshme. Në kohën që u gjetën armët në burg, aty ndodhej i izoluar Gazmend Brraka, i njohur me nofkën Gaxhai dhe i akuzuar për krijim bandash të armatosura gjatë vitit 97, i cili të nesërmen pas këtij incidenti u transferua nga qelitë e Bënçës, për në burgun e sigurisë së lartë 313 në Tiranë. Në atë kohë Drejtoria e Burgjeve kishte dyshime se armët ishin futur për një grup të rrezikshëm kriminal, me qëllim për t’u arratisur.
Ndërsa në nëntor të vitit 2013 të dënuarit, Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula dhe Artur Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve dhe më pas ikën nga burgu i Drenovës.
Femi Sufaj: Patjetër që ka pasur, por në të gjitha rastet e mëparshme armët nuk janë futur për këtë qëllim, që siç është e besueshme tani, është dyshim i arsyeshëm që kjo armë është futur për të marrë jetën e një personi tjetër. Ndërsa në gjitha rastet e tjera, edhe në botë, armët futen si mjet arratisje. Problemi numër një në burgje janë tentativat e arratisjeve. Sidomos në situatat e tanishme që kemi një forcim të drejtësisë. Janë pakësuar mundësitë që të dënuarit të fitojnë me manipulime të gjykatësve e prokurorëve, unë mendoj se janë pakësuar. Dhe atëherë, siç thotë një shprehje që qëllimi justifikon mjetin, do të ketë përpjekje për forma të tjera, siç është nëpërmjet dronëve, nëpërmjet sendeve kontrabandë, nëpërmjet thyerjeve të elementëve të sigurisë. Siç thashë, ka pasur edhe raste të tjera që janë gjetur armë brenda në burg, siç ka qenë në vitin 1991 në burgun e Lezhës, ka qenë në vitin 2002 në burgun e Tepelenës ku janë kapur dy armë dhe eksploziv, atje kanë qenë grupe shumë të rrezikshme kriminale që janë edhe sot në burg dhe ata kanë pasur disa tentativa për arratisje, edhe në vitin 2013 në Burgun e Korçës, ku një grup kriminal prej 7 vetash u arratisën në sajë të futjes së armëve brenda, ku armët ishin futur nëpërmjet frigoriferëve. Nuk kemi pasur raste të tjera. Sigurisht kontrabanda është minimizuar, që të jemi realist. Kemi pasur dikur futjen e 1400 celularëve në vit. Mund të jenë kapur dhe të tjerë dhe nuk janë deklaruar, por të paktën 1400 janë deklaruar. Ndërsa tani janë më shumë se 150 herë më pak. Po, kemi raste të kapjes së lëndëve narkotike, sigurisht në sasi të vogla, por mjete të rrezikshme, përveç mjeteve që prodhohen brenda burgut, me mjete artizanale, si sende tualeti, furçe dhëmbësh apo brava dyersh, që ata i përgatisin vetë. Por është optimist fakti që kemi rekrutime, kemi përmirësim të rrogave, përmirësim të kushteve të sigurisë, pra kemi rritje të dëshirës për të punuar. Po bëhen edhe disa praktika të tjera të rritjes së kualifikimit, madje edhe nëpërmjet dhënies së bursave të studimit në shkollat e larta. Një nismë e ndërmarrë nga drejtori dhe do të zbatohet këto ditë. Këto tregojnë që ka qëndrueshmëri dhe ka siguri. Sigurisht themi një shprehje ne që në burg asnjë ditë nuk i ngjan ditës tjetër. Por ka dhe një teori që njihet në Evropë, që është siguria dinamike, e cila ka të bëjë me rritjen e kompetencave të stafit, aftësisë së stafit për të njohur të burgosurit, për t’i menaxhuar, për të komunikuar me ta e për të bashkëvepruar. Ky është mjeti kryesor i sigurisë. Pra mënyra e vlerësimit të të burgosurve të veçantë, e rrezikshmërisë së tyre, kategorizimi dhe klasifikimi sipas rrezikshmërisë që ata kanë, janë mjete shumë efikase që e mundësojnë stafin të menaxhojnë në mënyrë të sigurt institucionet penale.
Por pas ngjarjes në burgun e Drenovës masat u përforcuan edhe më shumë dhe që nga ai moment nuk është regjistruar asnjë tentativë tjetër për t’u arratisur.
Xhelian Seferi: Nuk di të ketë raste të tentativës për t’u arratisur, të paktën në IEVP që ka në kompetencë Prokuroria e Elbasanit.
Siç e pranojnë edhe vetë drejtues dhe ekspertë të sigurisë së burgjeve, një burg nuk është kurrë i qetë. Çdo ditë mund të ketë situata, por që mund të menaxhohen dhe të mbahen nën kontroll. Megjithatë një rol të rëndësishëm për përballimin e këtyre situatave e luajnë vetë punonjësit e burgjeve. Për këtë arsye ka pasur nisma dhe rekrutime personeli, për të pasur një ambient sa më të sigurt.
Femi Sufaj: Mund të them që vetëm këto ditë kanë përfunduar procedurat e përzgjedhjes së stafit të sigurisë dhe janë përzgjedhur 220 punonjës. Pra tregon se sistemi është i kërkuar nga persona që duan të punësohen në sistem dhe ky është një tregues që tregon besueshmëri dhe qëndrueshmëri të sistemit. Unë mendoj që me gjithë situatat që janë zhvilluar dhe zhvillohen, një burg asnjëherë s’mund të jetë i qetë. Kjo është aksiomë, në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Por edhe vështirësia e menaxhimit është në kohë situatash, jo në kohë rutine. Por unë jam i bindur, nga njohjet që kam për shumë vite në sistem, që sistemi i burgjeve të Shqipërisë ka një siguri optimale, të qëndrueshme. Ndodhin incidente, kapen sende të ndaluara, sigurisht kapen dhe kontrabandë, por janë kapur edhe 100 fish më përpara. Pra sistemi funksionon. Mund të themi që kemi vite që nuk ka asnjë arratisje dhe është diçka për t’u shënuar pozitivisht. Duhet të dini që bëhen 1 milion kilometra në vit vetëm transportim dhe shoqërime të burgosurish. Shoqërohen mijëra të burgosur. Çdo ditë mund të jenë 100-200 persona jashtë burgut dhe nuk kemi ngjarje të rënda dhe që të cenojnë sigurinë. Kjo dëshmon që stafi e përmbush detyrën dhe jam shumë optimist që edhe ekspertët më të njohur që vizituan Shqipërinë, sistemin e burgjeve, pas ngjarjes së Peqinit, rekomanduan për shumë përmirësime, por evidentuan për disa gjëra që ne i kemi më mirë dhe ata kanë nevojë t’i mësojnë nga ne. Nuk ka mburrje për sistemin e burgjeve. Burgjet janë të vështira, sistem i vështirë për t’u menaxhuar. Ne menaxhojmë persona në konflikt me ligjin, persona të frustruar, të stresuar, me mungesë lirie dhe sigurisht punojmë në ambiente të mbyllura, të kufizuara dhe mendoj që rezultatet janë konkrete dhe publiku është i sigurt.
Në shumë raste, ngjarjesh, futjesh objektesh të jashtëligjshme, të dënuarit përveç ndihmës nga jashtë, kanë pasur edhe ndihmë nga brenda ambienteve të burgut. Nuk kanë qenë të rralla rastet kur skanerët kanë qenë jashtë funksionit e po ashtu edhe sistemi i kamerave.
Xhelian Seferi: Hetime të ndryshme kanë provuar që në momente të caktuara nuk kanë punuar skanerat, por as kamerat për regjistrimin e pamjeve filmike. Gjithashtu gjëja që çedon më tepër është aspekti njerëzor, ajo që ka sjellë edhe ngjarje të ndryshme kriminale.
Në vendet ku njerëzit nuk ndjehen të sigurt në burg, nuk ndjehen të sigurt as jashtë. E ne fakt për të arritur këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka miratuar një master-plan të propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që do të jetë në zbatim deri në vitin 2030. Dhe objektivi kryesor i këtij plani është krijimi i një ambienti të sigurt, që edhe vetë të dënuarit të jenë të krijojnë bindjen se nuk do të jenë të rrezikuar gjatë vuajtjes së dënimit.
Femi Sufaj: Është miratuar edhe master-plani për vitet 2024-2030, i cili mbështetet në 4 objektiva kryesorë. Objektivi i parë është krijimi i një ambienti të sigurt, që nënkupton jo vetëm rritje kapacitetesh dhe kushte trajtimi, por edhe krijimin e një klime të sigurt, që njerëzit të besojnë që janë të sigurt, vuajnë dënimin e dhënë nga shteti, por të kenë bindjen dhe perceptimin që janë të sigurt gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Ju krijohet mundësi e mbështetje për t’u përfshirë në kurse rehabilitimi, edukimi dhe për t’u përgatitur për jetën. Objektivi i dytë është përmirësimi dhe rritja e kapacitetit të stafit. Gjithashtu edhe për rehabilitimin dhe zhvillimin e programeve të punësimit. Pra ka disa fusha të rëndësishme.
Të izolosh në burg një kriminel, nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ke izoluar nga jeta kriminale që bënte jashtë. Edhe pse në fakt qëllimi ky duhet të jetë. Përkundrazi. Historia ka treguar se shumë kriminelë që janë çuar pas hekurave, janë fuqizuar edhe më shumë aty brenda. Kane drejtuar linja të trafikut ndërkombëtar të drogës, kanë urdhëruar pengmarrje e vrasje dhe janë kthyer në kapo të grupeve të strukturuara kriminale. Për vite me radhë futja e një celulari në qeli nuk ka qenë kurrë problem. Brenda 4 mureve të një dhome burgu, të dënuar për krime nga më të rëndat kanë mbajtur kontakte me botën jashtë me anë të celulareve, që nga më të thjeshtët e deri tek smartphon-ët. Bllokuesit e valëve apo edhe të internetit nuk kanë funksionuar qëllimisht në shumicën e rasteve.
Kushte të tilla që u krijoheshin të dënuarve, duke i kthyer në persona të rrezikshëm, si brenda ashtu edhe jashtë burgut, sollën domosdoshmërinë e krijimit të “41 Bis”. Por sot, duket se kërcënimi më serioz, burgjeve po u vjen nga dronët. Një kërcënim i ri, për të cilin vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës kanë marrë masa ekstreme për ta parandaluar. E duket se ky kërcënim po shihet me seriozitet edhe nga Shqipëria.