Emiljo Çika, profesor i Të Drejtës Ndërkombëtare deklaroi në emisionin “Real Story” se këndëvështrimet e ndryshme mbi luftën në Gaza, nuk përjashtojnë marrëdhënien e mirë të Turqisë me Shqipërinë.
Ai ka thënë se të dyja vendet janë pjesë e së njëjtës kupolë sigurie siç është ajo e NATO-s dhe kjo e përfocon dhe më shumë marrëdhënien mes tyre.
“Qendrimet e presidentit Erdogan gjatë vizitës dhe kryesisht ngritja e çështjeve, ku dy vendet kanë qendrimet të kundërta, me konfliktin e Izraelit me Palestinën. Nuk ishte rastësore, ngritja e çështjes gjatë inagurimit, ishte simbolike në radhë të dytë dhe ishte përzgjedhur për të nxjerr këtë mesazh nga presidenti Erdogan në këtë inagurim dhe nuk iu drejtua qeverisë shqiptare.
Jam i sigurt që nuk është se ka pasur një shpresë që qeveria shqiptare do të kishte një qendrim tjetër lidhur me këtë çështje. Shqipëria është një vend që linjëzohet me SHBA, tradicionalisht po mban të njëjtin qendrim me atë që është politika e jashtme. Gjithashtu dhe me qendrimin mbështetës që ka dhënë kundrejt Izraelit apo me pozicionin që ka mbajtur në lidhje me politikën e Shqipërisë me Izraelin. Rrjedhimisht, njëra nuk përjashton tjetrën. Qendrimi që ka mbajtur Shqipëria në lidhje me këtë çështje nuk përjashton marrëdhënien e mirë me Turqinë. Që të dyja janë vende që funksionojnë brenda një kupole sigurie siç është NATO”, u shpreh Çika.
Ndërsa, analisti Mentor Nazarko deklaroi: “Shtypi turk ka raportuar në mënyrë farmaceutike, pa asnjë lloj komenti, përveç një gazete “Taksim” që riprodhonte qendrimin tipik. Për hir të së vërtetës, vizita e presidentit Erdogan këtu, përmbajtja e saj nga dronët kamikazë te hapja e universitetit të Stambollit, bashkëpunimi në arsim, bashkëpunimi në informacion, tregoi që kjo është gjëja më e mirë e mundshme që prodhoi kjo vizitë. Turqia tregoi që është një shtet që respekton ndjeshmëritë tona kombëtare, shtetërore, por kjo është një arsye më shumë, që ka hapësirë për dialog me këtë shtet që na ka ndihmuar kur kemi pasur nevojë”./abcnews.al