Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, ka dalë në konferencë para ndeshjes me Tiranën. Ai foli për luhatjet që ka pasur skuadra e tij deri në këtë moment të kampionatit dhe për sfidën me bardheblutë. Daja do të kënaqej edhe me një pikë, por për këtë ka një kusht. Në fund ai jep një këshillë për lojtarët me eksperiencë si dhe i përgjigjet një pyetje ngacmuese për një takim me presidentin e Tiranës, Refik Halilin.
“Sigurisht ka pasur arsye për luhatjet. Dëmtimet kanë qenë një arsye. Asnjëherë nuk kemi përdorur një formacion, s’e kemi pasur grupin e plotë. Shpresoj që me rikthimin e lojtarëve të mos kemi më luhatje. Normalisht do ketë, por shpresoj të mos jenë në të njëjtën shkallë si deri më tani”, u shpreh fillimisht Daja.
RIVALI I RADHËS – “Tirana ka objektiva madhorë, kanë lojtarë me eksperiencë që kanë fituar tituj. Është një ndeshje e vështirë, por si në çdo ndeshje futemi me objektivin për të fituar. Edhe pse e dimë që e kemi shumë të vështirë, për të gjithë problematikat që kemi pasur këto dy javë. Gjithsesi do të futemi në fushë të japim maksimumin”.
OBJEKTIVI – “Kishim dy javë kohë të përgatitemi, por vetëm dy ditët e fundit grupi ishte i plotë. Kishim disa lojtarë me kombëtaret, kurse disa ishin të diferencuar. S’kemi vendosur akoma as formacionin. Praktikisht kishim vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur për Tiranën. Një pikë do më kënaqtë nëse ekipi do shprehej si me Kukësin. Në atë ndeshje bëmë një lojë të mirë. Nuk ishim të zemëruar se nuk fituam. Një lojë e tillë të jep shpresa për vazhdimësinë. Në të kundërt nuk na bën punë, nëse nuk shprehemi mirë në fushën e lojës”.
GJENDJA E SKUADRËS – “Tani kemi 3-4 lojtarë nga mosha 18-20 vjeç që mund të jenë pjesë e formacionet. Skënderbeu është mësuar në elitë dhe në këtë moment nuk e kemi potencialin e duhur, nëse nuk sforcohemi të gjithë bashkë, nëse ata me eksperiencë nuk japin kontributin maksimal që lojtarët e rinj ta kenë më të lehtë të shprehen. Kjo na shqetëson, por me frymën që ekziston brenda grupit jam optimist se gjërat do të shkojnë mirë”.
TAKIMI ME HALILIN – “Nuk kam pasur takim me Halilin. Të gjithë presidentët i takoj, pasi ky është një vlerësim për punën që kam bërë. Me të gjithë presidentët e Superiores mund të pi kafe. Nuk kam pasur një takim për probleme sportive. Thjesht takim për një kafe. Jo vetëm me Halilin, por takohem edhe me të tjerët”, përfundoi Daja. /abcnews.al