Zelensky nis turne evropian për të rritur mbështetjen para dimrit

schedule09:16 - 10 Tetor, 2024

schedule 09:16 - 10 Tetor, 2024

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të nisë një turne në kryeqytetet e aleateve evropiane, teksa synon të sigurojë më shumë mbështetje financiare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, vendi i tij vazhdon të përballet me sulme ditore prej Rusisë dhe me një ofensivë ruse në lindje, që po shënon përparim.

Zelensky do të nisë udhëtimin të enjten në Londër, ku do të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Këto takime do të zhvillohen një ditë pasi samiti i mbështetësve të Ukrainës në bazën Ramstein, është anuluar pak para se të niste.

Zyra për media e Zelenskyt ka thënë se ai do t’i nisë negociatat “me partnerët kyçë, nga të cilët varet forca jonë”.

Një zëdhënës i Starmerit u ka thënë gazetarëve se kryeministri do të “ritheksojë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, teksa përballet me agresionin rus”.