Harta ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë në librin e Qytetarisë për klasat e teta ka ngjallur irritimin e prindërve, ndërsa pedagogët kërkojnë me tepër filtra për tekstet shkollore. Pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha në facebook ministrja e Arsimit Besa Shahini e quajti këtë një gabim të paqëllimshëm.
Në qytetarinë e klasës së tetë, ndodhet harta që Kosovën e paraqet pjesë të Serbisë. Teksti shkollor ka autorë; Izela Tahsini, Elona Dhembo e Veronika Duci, botuar nga shtëpia botuese “Albas” që në vitin 2017 dhe përzgjedhur prej shumë shkollave nëntë vjeçare në vend.
Harta është pjesë dekoruese e faqes ku flitet për Evropën. Por çfarë mësojnë nxënësit e klasës së tetë në mësimin “Ne dhe Europa”?
Nxënësit na tregojnë se për Kosovën nuk mësojnë vetëm në shkollë.
Përfshirja e një harte të tillë ku Kosova është pjesë e Serbisë në tekstet shkollore ka irrituar prindërit të cilët na tregojnë se shpesh janë të detyruar tu japin shpjegime fëmijëve për gabime në librat e shkollës.
Për pedagogun e gjeografisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Dhimiter Doko, ky është një gabimi i pafalshëm i autoreve dhe i shtëpisë botuese.
Komisioni përzgjedhës i teksteve shkollore në Ministrinë e Arsimit sipas profesor Dokos nuk mjafton. Ai mendon se në proces duhet të përfshihen dhe universitetet.
Harta e Kosovës si pjesë e Serbisë në qytetarinë e klasës së tetë u denoncua në facebook nga ish kryeministri Sali Berisha.
Po në facebook reagoi për këtë çështje ministrja e Arsimit Besa Shahini. Shahini e quan këtë një gabim të paqëllimshëm ndërkohë bën të ditur se ka nisur kontrolli i teksteve shkollore.
Ky nuk është një rast i veçuar. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama tregonte hartën e investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë të zonave rurale përmes një video ku territori i Kosovës ishte lënë brenda Serbisë.
Shefi i qeverisë korrigjoi videon megjithëkëtë ajo ngjalli reagime të ashpra në Kosovë./abcnews.al