Kombëtarja humb “pjesët”/ Mungesa të mëdha në ekip për Ligën e Kombeve

schedule14:17 - 9 Tetor, 2024

schedule 14:17 - 9 Tetor, 2024

Edi Reja u përball me këtë situatë tre vite më parë.

Kombëtarja shqiptare luajti dhe humbi një ndeshje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës, duke i ikur nga duart një shans i madh.

Në atë kohë, trajneri italian dhe ekipi ynë përfaqësues u dëmtuan nga mungesat e shumta për shkak lëndimesh.

Kështu po ndodh edhe këtë herë, në prag të dy sfidave vërtet vendimtare në Ligën e Kombeve.

Shqipëria do të duhet të luajë në Pragë ndaj Çekisë këtë të premte pa disa nga emrat kryesorë.

I fundit që u dorëzua ishte Myrto Uzuni, i cili nuk ka mundësi fizike të luajë.

Dëmtimet që ka pësuar tek Granada në Spanjë e detyrojnë të largohet nga grumbullimi, dhe të humbasë edhe Çekinë, por edhe duelin ndaj Gjeorgjisë.

Trajneri Silvinjo ka thirrur Indrit Tucin që luan për Spartën e Pragës.

Emri tjetër që do të mungojë të paktën të premten është Kristian Asllani.

Mesfushori I Interit mbetet me ekipin, por vazhdon përgatitje të diferencuar, dhe shpresohet që të jetë gati për ndeshjen në Tbilisi.

Më herët, Silvinjos I mungonin kapiteni Gjimshiti, sulmuesit kryesorë Broja e Manaj si dhe mesfushori premtues, Medon Berisha.

Kombëtarja luan në 11 tetor në Çeki dhe në 14 në Gjeorgji për Ligën e Kombëve./abcnews.al