Vrasja e Ardian Nikulajt, shtyhet seanca për Ruben Saraivën. Avokati: Prokuroria s’ka sjellë asnjë provë shtesë, kërkuam ndryshimin e masës

schedule12:05 - 9 Tetor, 2024

schedule 12:05 - 9 Tetor, 2024

Shtetasi portugez Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit lezhjan Ardian Nikulaj doli paraditen e të mërkurës para gjykatës së Lezhës, ku kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Ai kërkon masë më të butë me pretendimin se ka kaluar një afat i gjatë dhe dosja ende nuk ka kaluar për gjykim.

Seanca u shty për në datën 16 Tetor, pasi sipas avokatit të tij Kujtim Cakrani, prokuroria nuk ka ecur me çështjen. Sipas Cakranit, provat që janë paraqitur nuk janë të mjaftueshme për implikimin e tij në këtë çështje.

“Ishim në gjykatë për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj Ruben Saraivës dhe për raportin dy mujor që prokurori duhet t’i paraqiste gjykatës. Sjell në vëmendje që kjo është çështje shumë delikate, ku prokuroria nuk ka ecur me hetimet që prej muajit prill 2023 dhe kështu që unë si përfaqësues ligjor, i kërkova gjykatës zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj këtij shtetasi pasi nuk ka asnjë provë dhe fakt që të vërtetojë se ky person të ketë kryer veprën penale. Kemi ngecur këtu. Kjo seancë u shty se mungonte përkthyesi dhe do të jetë me 16 në të njëjtën orë për seancë gjyqësore. Prokurori nuk ka sjellë asnjë provë tjetër shtesë dhe shpresoj që çështja të marrë zgjidhje.”, u shpreh avokati.

Saraiva vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim para togave të zeza, e po ashtu është shprehur se do të jetë në gatishmëri të drejtësisë shqiptare.

Kujtojmë që biznesmeni Ardian Nikulaj u vra me 19 prill 2023 teksa po pinte kafen në lokalin e tij në Shëngjin. Sipas hetimeve, rezultoi se vrasja është porositur nga Edmond Haxhia. Ruben Saraiva luajti rolin e ekzekutorit ndërsa britanikët, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, dhe për Harry Simpson ishin vëzhguesit.

/abcnews.al