Borrell: Hezbollahu është një kukull e Iranit, problemi është i rrënjosur thellë në Lindjen e Mesme

schedule12:02 - 8 Tetor, 2024

schedule 12:02 - 8 Tetor, 2024

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell e cilësoi Hezbollahun si një “kukull” të Iranit. Duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, ai tha se historia ka treguar se zgjidhja ushtarake nuk funksionon kur ka një problem të rrënjosur thellë në një rajon si Lindja e Mesme.

Siç theksoi ai, Libani është një vend shumë i paqëndrueshëm, sepse “brenda shtetit ka një shtet tjetër, që është Hezbollahu, i cili është një kukull e Iranit”.

Borrell vuri në dukje se “Hezbollahu ka një krah politik, ka anëtarë në qeverinë libaneze, anëtarë që janë parlamentarë, por ka gjithashtu një krah ushtarak, të cilin ne e klasifikojmë si një organizatë terroriste”.

“Pa një kompromis të fortë, pa reforma politike, brenda shoqërisë libaneze të udhëhequr nga populli dhe aktorët libanez, pa të gjitha këto, asgjë nuk mund të ndodhë. Askush nuk mund t’i zëvendësojë ata dhe të bëjë për ta atë që duhet bërë”, shtoi ai.

Josep Borrell tha gjithashtu se Komisioni ka premtuar se do të sigurojë një miliard euro për rindërtimin e Libanit, por sipas tij duhet të jepet një afat specifik kur të ketë angazhime të tilla./abcnews.al