Kloni i kufirit në oborr të shtëpisë, rrëfimi i çiftit të të moshuarve për “N’kufi”: S’mund t’i prekje telat. Rrija gjithë ditën me pushkë në dorë

schedule18:44 - 6 Tetor, 2024

schedule 18:44 - 6 Tetor, 2024

Dibrën dhe Tetovën nuk e ndante vetëm kufiri shtetëror, por edhe kloni (mur me tela të fortë me gjemba).

Shefqet dhe Bukurije Izvica, shtëpia e të cilëve ishte pranë klonit të ndërtuar, kujtojnë për emisionin “N’kufi” të gazetares Linda Karadaku se qëndronin të armatosur ndërsa ruanin edhe kufirin.

“Kloni ka qenë pas shtëpisë time. Kur kam bërë këtë shtëpi, nisën të ma prishnin se do të vinte armiku, do të vendoste një klon dhe do të kalonte. Unë kam qenë i armatosur me pushkë gjermane, kur kishte kufirin, ne dilnim natën dhe na linin një këtu, e një atje. Këtu ishte kloni, vinin kontroll në mëngjes, kloni në oborr. Kur u prish sistemi, u shkatërrua. Nuk mund t’i prekje telat me duar sepse bënin si bori makine. Nuk mbaja as qen sepse po të vinin këtu, më fusnin në burg.”, thotë Shefqeti teksa tregon ku ndodhej kloni.

Edhe bashkëshortja e tij, Bukurije Izvica rrinte gjithashtu me pushkë në dorë.

“Dija të gjuaja. Merrja pushkën dhe çoja punëtorët në punë. Na i dha reparti, kur shkonim në zbor bënim stërvitje. Ata punonin, unë i ruaja. Kisha mësuar në zbor me gjuajtur. Rrija gjithë ditën me pushkë në krah. Isha roje kufiri, brigade.”, thotë ajo./abcnews.al