Moti i keq, pezullohet lundrimi/ Anulohen tragetet Durrës-Bari, pritet përkeqesim i kushteve atmosferike

schedule21:10 - 3 Tetor, 2024

schedule 21:10 - 3 Tetor, 2024

Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka sjellë edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve lundruese, si pasojë e detit me dallgë të forta.

Kapiteneria e Durrësit njoftoi mbremjen e te enjtes se nuk do të ketë lundrime deri ne mengjesin e te premtes, duke çuar kështu në anullimin e lundrimit te tragetit te linjes Durrës-Bari.

Moti i keq dhe stuhia që pritet të përfshijë gjirin e Durrësit në vazhdim ka detyruar autoritetet detare të marrin masa për sigurinë e mjeteve lundruese dhe ekuipazheve të tyre në det.

Kapiteneria e Durrësit bën me dije se është urdhëruar pezullimi i aktivitetit të flotës së peshkimit, ndërsa të shtunën aktiviteti do t’i kthehet normalitetit. Anijet që janë aktualisht në det janë udhëzuar të ankorohen pranë portit të peshkimit për të shmangur rreziqet e mundshme. Gjatë orëve në vazhdim deti pritet që të arrijë forcën 7 ballë duke e vështirësuar ndjeshëm lundrimin, ndërsa era që fryn nga jugu nuk do të shoqërohet me ulje temperaturash.

Nderkohe jane pezulluar lundrimet dhe dalja në det e mjeteve të peshkimit edhe në Vlorë dhe Sarandë. Në qytetin e Vlorës, ndalimi i daljes në det i anijeve është pezulluar për 48 orë.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar nuk do të preken nga ky vendim dhe do të vijojnë aktivitetin e tyre pa ndërprerje sipas destinacioneve përkatëse./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!