“Mjekët që kryejnë abort janë vrasës”/ Belgjika thërret të dërguarin e Vatikanit: Komentet e Papës, të papranueshme

schedule19:09 - 3 Tetor, 2024

schedule 19:09 - 3 Tetor, 2024

Kryeministri belg, Alexander De Croo thirri të enjten ambasadorin e Vatikanit Franco Coppola, pas komenteve “të papranueshme” të Papa Franceskut për abortin.

Universiteti i Lirë i Brukselit (VUB) i kërkoi qeverisë belge që të thërriste Vatikanin për deklaratat e Papës që krahasonin mjekët që kryejnë abort me vrasës me pagesë.

“Aborti është një vrasje. Mjekët që e bëjnë këtë janë – më lejoni ta përdor atë fjalë – vrasës me pagesë”, u tha Papa Françesku gazetarëve pas vizitës së tij në Belgjikë.

“Është absolutisht e papranueshme që një kryetar shteti i huaj të bëjë deklarata të tilla për vendimmarrjen demokratike në vendin tonë”, tha De Croo gjatë një seance në

Dhomën e Përfaqësuesve. “Ne nuk kemi nevojë për mësime se si parlamentarët tanë miratojnë ligjet në mënyrë demokratike. Për fat të mirë, koha kur kisha diktonte ligje në vendin tonë ka ikur”.

Në një opinion për gazetën belge De Standaard , rektori i VUB-së, Jan Danckaert tha se deklarata e Papës “jo vetëm fyen mjekët që kryejnë aborte, por edhe Belgjikën dhe popullsinë e saj”.

Ndërsa qëndrimi i Papës për abortin nuk është befasues pasi ka përdorur të njëjtat fjalë më parë, komentet e tij vijnë në një kohë të ndjeshme për Belgjikën. Parlamenti belg javën e kaluar vendosi të ngrijë një projekt-ligj të debatuar gjatë që do të zgjeronte mundësinë e abortit nga 12 javë në 18 javë të shtatzënisë./abcnews.al