Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike më 1 tetor, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.
Lidhur me këtë është diskutuar në “Ballkan Update”, ku ambasadori Albert Prenkaj tha se ky sulm mbi Izraelin ishte i parashikuar.
Ai ka theksuar se zgjedhja e presidentit të ri të SHBA është me rëndësi për zgjidhjen e armëpushimit.
“Ka pasur përpjekje për një armëpushim nga SHBA dhe Franca, kemi parë kohë më parë, para vizitës së shefit të CIA-s në rajonin tonë, ai ishte në Katar dhe në Egjipt, në përpjekjet e tij për të arritur armëpushimin. Mirëpo, siç shikohet si Netanyahu dhe krerët e shtetit në Iran nuk janë tjetërsuar. Mbase, këtu ka të bëjë pak dhe me kalendarin zgjedhor në SHBA, pasi pritet një president i ri i SHBA, i cili do të angazhohet plotësisht në aspektin diplomatik për të arritur armëpushimin. Jemi pra larg një marrëveshje”.
Sipas ambasadorit, Kina është e interesuar që të sjellë paqen në Lindjen e Mesme.
“Kemi dhe një interesim të Kinës që të sjell paqen në Lindjen e Mesme. Nëse më lejohet një krahasim i shkurtër, pra në shtatorin e kaluar kemi pasur ndërhyrje terroriste nga territori i Serbisë në Kosovën e Veriut dhe vetëm pak ditë më vonë kemi pasur ndërhyrjen terroriste të Hamasit ndaj popullatës izraelite. Ky quhet një veprim i sinkronizuar gjeopolitik, i cili ka qëllimin e vetë dhe ne e dimë fort mirë cilat forca mund të jenë interesuar të hapin pika të zjarrit, për të hapur fronte të reja lufte”./abcnews.al