“Selia blu është transferuar te pallati i Berishës”, Vokshi: PD duhet të jetë kundër Ramës, jo ndaj SPAK e SHBA. Duhet ofertë politike

schedule21:11 - 30 Shtator, 2024

schedule 21:11 - 30 Shtator, 2024

Indrit Vokshi, ish anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, thotë se PD nuk ka një narrativë politike. I ftuar në emisionin “Real Story”, Vokshi u shpreh se sot selia blu është transferuar te pallati i Sali Berishës.

“Mendoj se jemi pak muaj para zgjedhjeve dhe një opozitë normale duhet të organizohet së pari në terren. Shqipëria ka 5200 qendra votimi, 1 parti politike duket të kishte normalisht një person për qendër. Nuk ka narrativë politike, s’mund t’i përgjigjesh kërkesave të sotme të shqiptarëve me përgjigjet e vitit 2005 apo 1992. Kjo është anomali konceptuale me mënyrën se si një parti politike ndërton komunikimin publik. Sot kemi të caktuar 12 kryesuesit e qarqeve dhe s’kemi shtabet elektorale në nivel qarku që do të marrin shqetësimet nga bashkitë dhe të koordinohet. PD ka funksionuar deri në një farë kohe si parti normale, sot selia e PD është transferuar te rruga e pallatit të zotit Berisha dhe kjo nuk është normale. Flasim për kushtet të të qenit konkurrues politikisht, nëse flasim në kushtet kur militantët e partisë duhet të imitojnë dhe të rrahin veten me kamxhik se pse nuk shpëtuan Hasanin dhe Hysenin në betejën e Qerbelasë ky është muhabet tjetër, por po them demokratët sot presin një ofertë politike dhe disa njerëz të besueshëm”, u shpreh ai.

Sipas tij, sondazhet tregojnë se 63 përqind e qytetarëve janë të zhgënjyer nga qeveria Rama, por shtoi se nuk besojnë as te opozita. Ai thotë se PD nuk mund të vijë në pushtet duke bërë fushatë kundër prokurorisë dhe SHBA-së.

“Sondazhet nxjerrin 63 përqind e shqiptarëve nuk kanë mendim pozitiv për qeverinë e Ramës, mirëpo s’e kreditojnë atë besim politik te opozita. Këtu kemi një anomali dhe disa përgjigje ndaj opozitës. Do t’i përgjigjesh 63 përqindëshit që nuk duan Edi Ramën apo jo, 63 përqind të kërkon ofertë politike, personalitete dhe të bësh politikë me standartet e sotme të të bërit politikë në Shqipëri, Ballkan dhe Evropë ndërsa ti e orienton te lufta kundër prokurorisë dhe SHBA. Mendoj se do ta ketë të vështirë cilido që të dalë në fushatë dhe në vend që të përgjigjet për çështjet politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve, do t’u thotë atyre se Amerika ka bërë padrejtësitë dhe prokuroria është e keqe. Nuk mund të kandidohet kundër prokurorisë dhe Amerikës, duhet të kandidohet kundër Ramës sepse 63 përqind duan të largojnë Edi Ramën nga pushteti dhe jo prokurorinë apo Amerikën. Më vjen keq edhe në kuptimin emocional që kanë degraduar këtu, dhe nuk pretendojnë t’u ofrojnë qyteteve dhe fshatrave alternativë politike që njerëzit ta votojnë me lehtësi. Është një lidership i opozitës për 3 dekada, nuk gjejmë jo vetëm në Evropë por as në Ballkan që të gjejmë parti që të ketë kryetar atë që ka pasur në ’91. Kjo është anomali e madhe.”, u shpreh ai./abcnews.al