Shqipëria krah izraelit/ Rama: Hamas, xhelat i popullit të tij. Zgjidhje me dy shtete. Terroristët kanë momentet e tyre, por nuk duhet të kenë fitoret

schedule12:07 - 28 Shtator, 2024

schedule 12:07 - 28 Shtator, 2024

Shqipëria del në krah të popullit izraelit. Nga shtetet e Bashkuara të Amerikës, shefi i qeverisë shqiptare fajëson Hamasin për luftën, duke e quajtur gardian të të burgosurve brenda një burgu. Megjithatë kryeministri shprehu bindjen se përballja me sfida të tilla i ka bërë kombet më të fortë.

“Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për elefantin në këtë dhomë. Nuk është e lehtë të zhvillosh një takim të tillë në sfondin e dhimbjes dhe vuajtjes së pamasë që sulmi masivisht vrastar i 7 tetorit i solli popullit të Izraelit, por edhe dhimbjen e vuajtjen e pamasë që lufta në Gaza po iu shkakton shumë palestinezëve të pafajshëm”, tha Rama.

Vendi ynë u nderua në New York për strehimin e hebrenjve gjatë Holokausitt. Në një fjalim të gjatë, kryeministri kujtoi krimet e komunizmit, duke e paralelizuar me dhimbjen e hebrenjve, që u përballën me spastrim nga regjimi nazist.

“Gjatë Holokaustit, kur udhëheqësi nazist, Hermann Neubacher, thirri krerët fetarë e politikë në vitin 1943, në Berlin, për të kërkuar një listë të hebrenjve dhe floririn e tyre, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën: “Floririn mund ta merrni, ata jo”. Edhe disa seanca negociatash nuk i bënë të ndërronin mendje: “Floriri është i juaji, merreni, hebrenjtë janë tanët e do t’i mbrojmë”.

Por kryeministri pranon se lufta në lindjen e mesme nuk mund të përfundojë pa dorëzimin e pengjeve.

“Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin.”

Në fund të fjalës së tij, shefi i qeverisë shqiptare u nderua me një medalje nga Lëvizja kundër Anti-Semitizmit, për të cilën u shpreh se do marrë me vete edhe kur të mbarojë detyra e tij si kryeministër.

“Premtoj se do ta vendos në një vend në zyrën time, por të premtoj se do ta marr me vete edhe pasi të përfundojë detyra ime si kryeministër. Këtë medalje do ta trashëgojnë dhe fëmijët e mij.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!